VIDEO/ Kolazh unik i botës së egër në zonat e mbrojtura në Shqipëri
Vendosja e kamerave kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e shumëllojshmërisë së faunës së egër në këto zona.
Kryeministri Edi Rama, ndau sot në rrjetet sociale, pamjet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të cilën e cilësoi si një “kolazh unik të botës së egër”.
Rama u shpreh se kamerat kurth të Zonave të Mbrojtura “çdo ditë e më shumë na njohin me habitatet e sigurta për speciet e shumëllojshme”.
Kamerat kanë kapur llojet më të veçanta të kafshëve të botës së egër, si dhelpra e kuqe, ariu i murrmë, macja e egër, ujku, kastori, lepuri i egër, kaprolli, baldosa, rrëqebulli i Ballkanit etj.. që kanë habitat pyjet dhe malet e vendit.
Monitorimi i botës së egër të faunës, nëpërmjet kamerave kurth është një proces i nevojshëm për të dokumentar llojshmërinë e këtyre kafshëve në periudha të ndryshme të vitit si dhe faktorët e riskut.
Kafshët e egra janë shtuar falë moratoriumit të gjuetisë, sipas të dhënave të ekipeve mjedisore.
Shqipëria zgjeroi sipërfaqet e zonave të mbrojtura në vitin 2022 duke e çuar sipërfaqen e mbrojtjes në 21,5% të territorit.
Në vitin 2025 u krijua Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me 12 agjencitë e saj rajonale që kujdesen për çdo park kombëtar e natyror.

