Njeriu si avatar në ekspozitën e Dritan Nasit në Galerinë FAB

Në Galerinë FAB pranë Universitetit të Arteve u çel dje në mbrëmje ekspozita “Avatar City” e artistit Dritan Nasi.

“Ekspozita është një pasqyrë e tmerrshme e varësisë nga rrjetet sociale, në një botë ku çdo moment duhet të “postohet” dhe çdo përvojë të reduktohet në një story ose reel”, thotë autori në një tekst mbi “Avatar City”.

Ekspozita, e kuruar nga Ermir Hoxha, shpalos një shoqëri të zhveshur nga emocionet e vërteta, ku jetohet për publikun, jo për veten.

Ekspozita nuk konsiderohet thjesht ne nje kritikë ndaj rrjeteve sociale, por si një pasqyrë e tmerrshme e realitetit ku jetojmë, ku identiteti ynë është bërë një avatar i punuar nga inteligjenca artificiale, i kontrolluar nga algoritmet.

“Avatar City”, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 14 shtator, kërkon të pasqyrojë një botë, ku njerëzit nuk jetojnë për të përjetuar realisht jetën e tyre, por për të treguar se po jetojnë.

Njeriu si avatar në ekspozitën e Dritan Nasit në Galerinë

Çdo veprim, nga konsumimi i një kafeje të thjeshtë deri tek një moment personal, shndërrohet në ngjarje.

Artisti thotë se, tashmë, jeta nuk është më e jetuar, por e performuar: një lloj striptizmi emocional, ku tregohen shfaqjet e jashtme, por brendia është e zbrazët.

Në “Avatar City” fytyrat janë të paqarta, sfondi është i ndritur artificialisht, dhe çdo person i ndërlidhur me të tjerët nëpërmjet një ekrani të padukshëm.

Në ekspozitë publiku do të mund të shohë 25 piktura të formateve të mëdha, në një jetë moderne ku njerëzit janë kthyer në qënie metafizike.

Njeriu si avatar në ekspozitën e Dritan Nasit në Galerinë

Gjithashtu ekspozita përmban edhe 6 vizatime të mëdha me të njëjtën tematikë. Ekspozita e mbështetur edhe nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të shoqërohet nga disa leksione të hapura.