Afrodiziakët natyralë: Çfarë duhet të keni në kuzhinën tuaj për të ndezur pasionin

Thonë se dashuria kalon nëpër stomak – dhe shkenca duket se e vërteton këtë. Që nga kohërat e lashta e deri sot, njerëzit kanë kërkuar ushqime që zgjojnë shqisat, rrisin energjinë dhe ndezin pasionin. Shumë prej tyre i gjeni lehtësisht në kuzhinën tuaj, raporton Vijesti.me.

Çokollata e zezë – pasion i ëmbël
E njohur për përmbajtjen e feniletilaminës, e njëjta substancë që trupi prodhon kur dashurohet, çokollata e zezë përmirëson humorin, qarkullimin e gjakut dhe sjell kënaqësi. Shijohet më së miri me një gotë verë të kuqe ose në fondue me luleshtrydhe.

Mjalti – eliksiri i artë i dashurisë
Simbol i pjellorisë në kulturat e lashta, mjalti është i pasur me vitamina B dhe enzima që japin energji. Mund të shërbehet me arra, bajame ose si shtresë mbi fruta të freskëta.

Specat djegës – zjarr në gojë dhe zemër
Kapsaicina nxit pulsin, rrit temperaturën e trupit dhe çliron endorfina. Përveç në salca, një surprizë e këndshme është kombinimi i tyre me çokollatë në ëmbëlsira.

Xhenxhefili – erëz që gjallëron qarkullimin
Aroma e tij freskuese zgjon shqisat dhe stimulon qarkullimin. Mund të konsumohet si çaj me mjaltë, në smoothie ose si erëz në gatime.

Gocat e detit – simbol i luksit dhe joshjes
Të pasura me zink, ato njihen si një nga afrodiziakët më klasikë. Të preferuara nga Casanova, shijohen të gjalla me limon ose të pjekura me gjalpë e erëza.

Bamja – ushqim i lashtë i dashurisë
E përdorur që në kohët faraonike, bamja është e pasur me minerale që stimulojnë energjinë dhe hormonet. E gatuar me domate, hudhër dhe vaj ulliri, shpesh konsiderohet simbol i pjellorisë dhe sensualitetit.

Ekspertët theksojnë se këto ushqime nuk janë “ilaç magjik”, por mund të jenë aleatë të fuqishëm për të kthyer një darkë në një përvojë që ngacmon të gjitha shqisat. Mjafton momenti i duhur, dritat e zbehta dhe muzika e lehtë – pastaj ushqimi bën pjesën tjetër.