“Qaj çdo ditë”, vajza e 40-vjeçarit që v*au gruan në Volos: Të dy ishin fajtorë, por babi s’duhej të arrinte këtu

Vrasja e 36-vjeçares Mariola Nakoleci në Volos gjatë gushtit tronditi opinionin publik grek. Ajo u ekzekutua në hyrje të pallatit nga bashkëshorti i saj, 40-vjeçari Pandeli Nakoleci, ndërsa tre fëmijët e mitur ndodheshin aty pranë. Sot, vajza e madhe e çiftit, 18-vjeçarja Anastasia, foli me lot për tragjedinë që i ka lënë pa prindër.

“Të dy janë fajtorë për mua. Na lanë në rrugë, nuk menduan fare për ne. Është shumë e vështirë të jetosh pa nënë dhe baba”, – tha ajo në një intervistë për televizionin MEGA.

Ajo rrëfeu se prindërit e saj kishin probleme xhelozie, por gjithashtu theksoi se e donin njëri-tjetrin shumë. “Babi e donte shumë nënën, por ishte xheloz. Edhe mami e donte babin, por bëri gabime. Të dy bënë gabime. Por babi nuk duhej ta vriste. Kishte katër fëmijë.”

Anastasia kujtoi edhe momentet e fundit tragjike: “Vëllai im më telefonoi dhe më tha: ‘Eja shpejt, babi vrau mamin’. Unë ende i kam ato zëra në celular.”

Sipas saj, i ati e telefonoi ndërsa fshihej pas ngjarjes dhe i tha: “Nuk doja, nuk doja ta bëja këtë.” Megjithatë, ajo shtoi me dhimbje se ende nuk e di nëse do ta vizitojë ndonjëherë në burg: “Dua shumë, por do të doja që edhe mami im të ishte atje.”

Përjetimi i saj është i rëndë:

“Më mungon mami. Qaj çdo ditë. Shoh fotot dhe nuk mund ta besoj. Është shumë e vështirë të jetosh pa prindër.”

Aktualisht, Anastasia dhe motra e vëllezërit e saj po jetojnë me të afërm, duke u përpjekur të rindërtojnë jetën pas humbjes së rëndë.