Nga Krakow në Valencia: Këto janë qytetet më të preferuara për pushime aktualisht në Evropë sipas udhëtarëve

Evropa vazhdon të mbetet një magnet për turistët nga e gjithë bota, duke ofruar qytete me histori të pasur, kulturë të larmishme dhe kuzhinë unike.

Një anketë e re e organizatës britanike Which?, me mbi 1,600 pjesëmarrës, ka zbuluar destinacionet më të vlerësuara për pushime urbane në kontinent.
Anketa mori parasysh shtatë faktorë kyç: akomodimin, ushqimin dhe pijet, blerjet, pamjet kulturore, lehtësinë e lëvizjes, vlerën për paratë dhe mungesën e turmave.

Krakow, Polonia – në krye të renditjes
Për të pestën herë, Krakow u shpall qyteti më i mirë për pushime në Evropë, duke marrë 92% të pikëve maksimale. I vlerësuar me pesë yje për ushqim, akomodim dhe transport, qyteti polak u shqua edhe për çmimet e arsyeshme. Vizitorët përmendin Sheshin Mesjetar të Tregut, Kështjellën Wawel dhe lagjen historike Kazimierz si atraksione të paharrueshme. Një natë hoteli kushton mesatarisht 99 euro.

Venecia, Italia – magji mes ujërave
Me 90% të pikëve, Venecia zuri vendin e dytë. Atraksionet ikonike si Bazilika e Shën Markut dhe Pallati i Dozhës i siguruan pesë yje për kulturë dhe arkitekturë. Megjithatë, qyteti mori vlerësime të ulëta për shkak të turmave dhe kostove të larta, me hotelet që kushtojnë mesatarisht 153 euro për natë.

Valencia dhe Vjena – surprizat e listës
Në vendin e tretë u renditën Valencia dhe Vjena me nga 89%.

• Valencia u vlerësua për kuzhinën mesdhetare, tregjet e vjetra dhe arkitekturën e saj historike, duke u shfaqur si alternativë ndaj Barcelonës dhe Madridit. Një natë në hotel kushton mesatarisht 122 euro.

• Vjena, e përshkruar si “Disneyland për të rritur”, mori pesë yje për kulturën dhe ushqimin, por vetëm tre për vlerën ndaj çmimit. Një natë hoteli kushton rreth 120 euro.

Stambolli – hyrja e re në top 5
Stambolli u fut për herë të parë në pesëshen më të mirë, me 88%. Me atraksione si Shën Sofia, Xhamia Blu dhe Pazari i Madh, qyteti turk mori vlerësime maksimale për ushqimin dhe kulturën. Një natë hoteli këtu kushton mesatarisht vetëm 78 euro, duke e bërë një nga destinacionet më të përballueshme.

Mesazhi i udhëtarëve është i qartë: qytetet që kombinojnë kulturën, ushqimin dhe përvojat autentike, duke ofruar njëkohësisht vlerë të mirë për paratë, mbeten zgjedhja e tyre e parë për pushime.