Wright: Në 5 vite zgjidhet kriza energjetike në SHBA

“Fuzioni bërthamor së shpejti do të furnizojë me energji botën”, Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright thotë se falë inteligjencës artificiale, brenda pesë vitesh SHBA do të ketë metoda për ta shfrytëzuar këtë teknologji, ndërsa brenda 8–15 vitesh energjia e fuzionit do të hyjë në rrjetet elektrike duke ulur ndjeshëm emetimet

Brenda 5 vitesh duket se do të marrë fund kriza energjetike në të gjithë botën. Ky është parashikimi i Sekretarit amerikan të Energjisë, Chris Wright, i cili thotë se inteligjenca artificiale do të përshpejtojë kërkimet për shfrytëzimin e fuzionit bërthamor, energji e njëjtë kjo me atë që fuqizon diellin.

Në një intervistë për BBC, Chris Wright deklaroi se teknologjia për shfrytëzimin e fuzionit bërthamor do të jetë e disponueshme shumë më shpejt nga sa mendojnë shumica e shkencëtarëve.

“Brenda pesë vitesh do të kemi qasjen për ta shfrytëzuar në disa mënyra dhe brenda 8 deri në 15 vitesh kjo energji do të futet në rrjetet elektrike,” tha ai.

Sipas Wright, fuzioni bërthamor do të bëhet një motor i fuqishëm për uljen e gazeve serrë, duke garantuar energji të pastër dhe të bollshme. Ai theksoi se kombinimi i inteligjencës artificiale me investimet e laboratorëve kombëtarë dhe të kompanive private do të çojë drejt një zgjidhjeje të shumëpritur.

Megjithatë, komuniteti shkencor e sheh këtë afat si tepër ambicioz.

Shkencëtarët kujtojnë se riprodhimi i fuzionit në Tokë kërkon temperatura shumë më të larta se ato të diellit dhe se ndërtimi i centraleve komerciale është ende në faza të hershme.

Wright i bëri thirrje gjithashtu Britanisë të lëshojë licenca të reja për naftë e gaz në Detin e Veriut, duke e cilësuar këtë si një mënyrë për “rilindjen e industrisë dhe uljen e çmimeve të energjisë”. Ai paralajmëroi për rrezikun e varësisë së Evropës nga teknologjitë kineze të energjisë së gjelbër dhe mbrojti shkurtimet e administratës Trump në subvencionet për erën dhe diellin.

Raporti i fundit i Departamentit të Energjisë, i cili minimizon kërcënimin e ndryshimeve klimatike, është kritikuar nga mbi 85 shkencëtarë si i pasaktë dhe me të dhëna të përzgjedhura. Wright tha se ndryshimi i klimës është real, por sipas tij tranzicioni drejt një ekonomie të dekarbonizuar do të zgjasë “breza të tërë, jo vetëm dy ose tre dekada”.

Deklaratat e tij kanë ndezur debat ndërkombëtar, duke vënë përballë optimizmin politik dhe skepticizmin shkencor mbi të ardhmen e energjisë.