Vizita e presidentit të EBA-s në Gjirin Persik synon koordinimin rajonal pas sulmit izraelit në Doha

Vizita e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan në vendet e Gjirit, synon koordinimin e qëndrimeve – pas sulmit izraelit të martën ndaj udhëheqësve të Hamasit në Doha, tha dje këshilltari i tij diplomatik, sipas “Reuters”.

“Vizita e presidentit në shtetet e Gjirit, pasqyron një bindje të thellë në forcimin e koordinimit dhe bashkëpunimit, si dhe në përforcimin e konceptit të një fati të përbashkët”, tha Anwar Gargash në një postim në X.

Izraeli u përpoq të martën të vriste udhëheqësit politikë të Hamasit, në një sulm ajror në kryeqytetin e Katarit, duke përshkallëzuar fushatën e tij ushtarake në Lindjen e Mesme dhe duke shkaktuar kritika ndërkombëtare.

Sheikh Mohammed ishte kreu i parë i shtetit që vizitoi Dohën pas sulmit – i cili më pas udhëtoi në Bahrein dhe Oman.

“Doha do të presë një samit urgjent arabo-islamik të dielën dhe të hënën e ardhshme për të diskutuar sulmin izraelit”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Katarit.

Në një deklaratë të veçantë, Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe dënoi deklaratat “armiqësore” të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kundër Katarit, duke theksuar se çdo agresion kundër një shteti të Gjirit përbënte një sulm ndaj kornizës kolektive të sigurisë së Gjirit.

“Ju duhet të dëboni zyrtarët e Hamasit ose t’i nxirrni para drejtësisë. Nëse nuk e bëni, do ta bëjmë ne”, tha Netanyahu duke paralajmëruar Katarin.

Ai gjithashtu akuzoi Katarin se i kishte ofruar strehë të sigurt dhe financim Hamasit, duke shkaktuar kritika të ashpra nga Doha.

Emiratet e Bashkuara Arabe, me ndikim diplomatik në të gjithë Lindjen e Mesme, nënshkruan një marrëveshje normalizimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja me Izraelin – sipas Marrëveshjeve të Abrahamit në vitin 2020 – e cila hapi rrugën për lidhje të ngushta ekonomike dhe të sigurisë, përfshirë bashkëpunimin në mbrojtje.