FILMIMI BRENDA NË LOKAL/ Erogen Vaso iku me vrap sapo pa Ragip Gilën që nxori “MP5”-n nga bluza. Sot masa në gjykatë, policia blindon Shkodrën
Pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e lokalit, kanë zbardhur të plotë dinamikën e masakrës së rëndë në Shkodër, ku mbetën të vrarë dy persona dhe 3 të tjerë u plagosën rëndë.
Nga këqyrja e pamjeve filmike autori i krimit duket teksa hyn në ambientet e jashtme të lokalit, ku ndodhej Erogen Vaso alias Brajoviç dhe inspektori i IMT-së Shkodër, Armand Pali.
Sipas pamjeve filmike Ragip Gila, hyn në lokal dhe drejtohet direkt tek tavolina ku qëndronin Vaso, Pali dhe Liridon Kraja.
Pamjet filmike, tregojnë se Vaso e ka parë siluetën e personit me kasketë dhe në momentin kur ai ka nxjerrë një automatik të shkurtër MP5 UZI, Vaso, është çuar menjëherë nga tavolina dhe ka vrapuar drejt ambienteve të brendshme të lokalit.

Autori menjëherë ka hapur zjarr mbi tavolinë, teksa shihet që ndjek dhe qëllon Vason deri në ambientet e brendshme të lokalit.
Nga të shtënat me armë bien në tokë, Armand Pali, i cili sipas ekspertizës mjeko-ligjore rezultoi të ketë marrë disa plumba në gjoks dhe një në kokë.

Ndërsa Liridon Kraja, ka marrë vetëm një plumb në zemër, ku dhe ka gjetur vdekjen në vend.
Autori është filmuar teksa largohet në panik, duke harruar të marrë dhe motorin që e kishte lënë të ndezur në rrugicë.
Sipas burimeve në vendngjarje janë sekuestruar diku tek 27 plumba automatiku, MP5.
Ndërsa sot mësohet se në ambientet e Gjykatës së Shkodrës, pritet të zhvillohet në masa të forta sigurie masa ndaj personit të arrestuar, Ragip Gila.
Prokuroria do kërkojë caktimin e masës së sigurisë "Arrest në burg".

