Sarandë, zhvillohet Panairi i 13-të Kombëtar i Suvenireve Turistike Miqësore me Mjedisin
Në shetitoren e qytetit bregdetar të Sarandës u organizua edicioni i 13-të i Panairit Kombëtar të Suvenireve Turistike Miqësore me Mjedisin, një event tashmë tradicional që mbledh artizanë nga e gjithë Shqipëria dhe trevat shqiptare jashtë kufijve.
Eventi u zhvillua në bashkëpunim mes Bashkisë Sarandë dhe Organizatës “Joniana për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Informimin” (AJMMI), duke sjellë në qytet një atmosferë të gjallë kulturore dhe turistike. Sipas organizatorëve, në panair morën pjesë dhjetëra artizanë nga Shqipëria, Kosova dhe rajonet e tjera shqiptare, të cilët ekspozuan punimet e tyre artizanale të realizuara me materiale natyrore si lesh, dru, guacka deti, lëkurë, qëndistari etj.
Në ceremoninë e përurimit, zëvendëskryetari i Bashkisë Sarandë, Florian Sali, u shpreh “ky panair është një vlerë e shtuar për qytetin tonë turistik, sepse prej 13 vitesh kontribuon në promovimin e trashëgimisë artizanale shqiptare, gjallërimin e jetës kulturore dhe tërheqjen e qindra vizitorëve vendas dhe të huaj”.
Drejtori ekzekutiv i AJMMI, Shkëlqim Hajno, theksoi se misioni i panairit është ruajtja dhe promovimi i traditave artizanale shqiptare në harmoni me mjedisin dhe kërkesat e tregut turistik.
Ndër pjesëmarrësit spikatën edhe artizanët vendas Anila dhe Dritan Onjea, të cilët jo vetëm fituan një çmim, por lidhën edhe një bashkëpunim të ri me një tregtar italian nga Venecia, i cili do të shesë produktet e tyre me guacka deti në dyqanin e tij.
Çmimi i parë i Panairit “Saranda 2025” iu dha artizanes nga Prizreni, Taibe Agushaj, përfaqësuese e shoqatës së artizanëve “Medica Gjakova”, për punimet e saj të veçanta që bashkojnë traditën me ndjeshmërinë mjedisore.
Panairi dëshmoi edhe një herë se Saranda nuk është vetëm një destinacion deti, por edhe një qendër aktive e kulturës dhe trashëgimisë artizanale shqiptare.

