PORTRETE ARTISTËSH/ Simbolika e pemës në mistikën e pikturës së Arben Golemit
Nëse do të duhej që të gjendej një fjalë e vetme për ta tipizuar a përveçuar pikturën e Arben Golemit, PEMA mendoj unë, është fjala që na jep çelësin për të hyrë brenda atij universi krijues e për të lexuar, qëmtuar, vëzhguar, kuptuar dhe shijuar gjithë dimensionin e një bote të tërë, ku shpirti i artistit ka ditur mjeshtërisht të simbolizojë vetë jetën në gjithanshmërinë dhe kompleksitetin e vet.
Kësisoj, asgjë nuk është e rastësishme, por as nuk bie në kundërshti me spontaneitetin krijues që ndjehet më së shumti në poetikën që mbart dhe përcjell puna e Arben Golemit, të cilën, në një shkrim të mëhershëm po për këtë autor e kam quajtur poetikë agresive.
Pema është një motiv a element mitologjik. Ajo simbolizon vetë jetën dhe pavdeksinë. Na vjen si e tillë që prej kulturës së lashtë kineze, egjiptiane. Na vjen prej “Eposit të Gilgameshit”, në Mitologjinë e Mesopotamisë e tëhu nëpër shekuj, reflektuar në kultura të ndryshme të popujve të ndryshëm.
Pavarësisht simbolikës së ndryshme që PEMA përfaqëson në popuj apo në kultura të veçanta, filli përbashkues i saj është vetë jeta që ajo simbolizon.
Arben Golemi e bën PEMËN kryemotiv, edhe për të na dhënë të kuptojmë universalitetin e veprës së vet, prej se PEMA është një “gjuhë” që e lexojnë dhe e kuptojnë të gjithë, por edhe për të dëshmuar rritjen e vet si individualitet dhe autoritet i konsoliduar tashmë, me kredencialet e një piktori përfaqësues i brezit të pasardhësve të të mëdhenjve të pikturës shqiptare, të pranuar si të tillë që prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Arben Golemi e shpirtëzon PEMËN e vet. Njësoj siç e shpirtëzon edhe Sali Shijaku mullarin e vet përshembull.
PEMA për Ben Golemin nuk është vetëm një objekt i natyrës hedhur mbi telajo si shprehje apo reflektim i emocionit krijues të piktorit. PEMA e Arben Golemit është shumë më tepër; është raporti i krijuesit me krijesën e vet, është marrëdhënia e njeriut me natyrën dhe ndërvarësia mes tyre si kusht i domosdoshëm i jetës, është vetë procesi i jetës prej lindjes, është trashëgimia, njësoj siç PEMA është po aq e gjithashtu edhe vetë piktori, është familja, është toka, është atdheu.
Edhe pse PEMA është një, në kuptimin e motivit apo të simbolikës së saj, ajo na vjen e pafundme në mënyrën se si piktori na e shërben apo ofron në veprën e vet, siç janë të pafundme pemët e botës.
Dhe në fakt, kjo e bën Arben Golemin novator dhe avanguardist në këtë zgjedhje, e cila duhet thënë se e ka rriskun gjithmonë aty pranë.
Mirëpo, Arben Golemi falë talentit dhe vizionit të qartë se ku synon të mbërrijë (këtu mbase e ka ndihmuar edhe fakti që përveçse piktor është edhe arkitekt), ia ka dalë ta shmangë monotoninë dhe deskriptivismin fotografik, që jo rrallë e ndeshim edhe në vepra të piktorëve të njohur, aq sa është e vështirë të kuptosh nëse po sheh një pikturë apo një fotografi.
Për shembull, nëse “arti i Vermeerit është si një liqen i mbuluar me akull, ku jeta e fshehur struket nën një sipërfaqe mashtruese të ftohtë dhe të kristaltë”, siç shkruan Matthew Wilson, arti i Arben Golemit, është një pyll i pafundmë me pemë gjithëfarëshe, ku jeta shpërfaqet mes ngjyrash e kontrastesh, nëpër të cilat ndihet puhiza e lehtë e pranverës, por edhe tufani i ashpër i dimrit, që shquhen në plastikën dhe dinamikën që e “prek” edhe në një gjethe të vetme në cilëndo punë të Arben Golemit.
Arben Golemi edhe kur na jep tabllo nga Berati, “PEMA” është gjithherë aty, është e pranishme. Në mos dretpërdrejt, është në përjetimin e tij mbi qytetin, është në mitikun, malin e Tomorit gjithashtu.
Në gjithë sa po shkruaj unë nuk marr përsipër të analizoj veprën shumë të pasur të Arben Golemit, e cila shtrihet prej Beratit ku ai ka marrë impresionet e para dhe që gjithashtu zë një vend të rëndësishëm në të gjithë krijimtarinë e tij, e shkon në Paris e Nju York, nga Shqipëria në të gjithë botën, ku edhe pse motivet janë të shkëndijëzuara prej atje, ajo ç’ka na jep piktori është ngjyra shqiptare e artit të tij, edhe kur mbi telajo fikson peizazhe nga Manhatan apo kur “PEMA” e tij është vetë Notre-Dame.
Mistik dhe simbolist, futurist apo kubist, romantik dhe realist po aq, Arben Golemi dhe vepra e tij, kanë ravijëzuar një hulli të konsoliduar identitare, duke shënjuar kësisoj një trend modern në pikturën shqiptare.


