60.2 % E SHQIPËRISË ME PYJE! Instat: 1.146.723 hektarë janë me pemë, 449 mijë kullota

Sipërfaqja me pyje, shkurre e kullota në shqipëri ka mbetur e mbrojtur përgjatë vitit 2024. Instat raporton për për 1 milionë e 700 mijë hektarë, ku 450 mijë janë me kullota e livadhe. Vetëm 6.1 për qind e sipërfaqes menaxhohet nga privatët

Në Shqipëri, fondi pyjor dhe kullosor për vitin 2024 arrin në 1.731.891 hektarë, që përfaqëson 60,2% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Sipas të dhënave të INSTAT, 66,2% e këtij fondi mbulohet me pyje, 25,9% me kullota e livadhe dhe 7,9% me bimësi pyjore ose sipërfaqe joproduktive

Vëllimi i përgjithshëm i pyjeve arriti në 53,1 milionë m kub, ku pjesa dërrmuese, 93,9%, janë pyje publike, ndërsa vetëm 6,1% janë private

Sa i takon zonave të mbrojtura, në vitin 2024 u regjistruan 777 zona me një sipërfaqe prej 624.611 hektarësh. Edhe pse numri i tyre është rritur krahasuar me vitin 2023, sipërfaqja totale ka pësuar një rënie prej mbi 1.400 hektarësh

Në detaje, parqet kombëtare u reduktuan nga 13 në 12 dhe sipërfaqja e tyre ra në 313.924 ha, duke mbuluar rreth gjysmën e zonave të mbrojtura.

Ndërkohë, monumentet natyrore mbetën 724, por sipërfaqja e tyre u tkurr ndjeshëm, nga 1.585 ha në vetëm 86 ha, për shkak të ndryshimeve metodologjike në matje. Po ashtu, rezervatet e menaxhuara u pakësuan nga 30 në 28, ndërsa peizazhet e mbrojtura u rritën në numër nga 9 në 11, megjithëse me një sipërfaqe më të vogël

Në total, zonat e mbrojtura përfaqësojnë 36% të fondit pyjor dhe kullosor dhe 21,7% të territorit të Shqipërisë. Autoritetet theksojnë se menaxhimi i qëndrueshëm i pyjeve dhe biodiversitetit mbetet prioritet, duke qenë pjesë e programeve të statistikave zyrtare dhe raportimeve të rregullta nga bashkitë.