Mbi 5.5 miliardë euro nga nafta shqiptare, “Bankers”-i më shumë zhurmë se hetime! Pse dosja e Fierit nuk i kalon SPAK-ut për hetimin edhe të “bashkëpunëtorëve”?
Më shumë se dy muaj më parë, Prokuroria e Fierit nisi hetimet për një skandal të madh financiar që lidhet me kompaninë Bankers Petroleum.
Kjo kompani ka operuar për më shumë se 20 vite në zonën e Patos-Marinzës dhe dyshohet se ka abuzuar me mbi 5.5 miliardë euro të ardhura nga nafta shqiptare.
Hetimet e Fierit zbuluan skema të fryrjes së shpenzimeve dhe shmangies së taksave. Paratë janë zhdukur përmes faturave fiktive dhe transferimeve të dyshimta. Pavarësisht hetimeve fillestare, dosja duket se ka mbetur në vend.
Kjo pasi përveç dy personave të lënë në burg me vendimin e Gjykatës së Apelit, administratori dhe CEO-ja i kompanisë “Bankers Petroleum”, HongPing Xiao, si dhe ish-administratorin Leonidha Çobo, të cilët vazhdojnë të jenë në ‘arrest me burg’, askush tjetër nuk ndodhet në qeli për këtë skandal që vijon të zgjasë prej më shumë se dy dekadash, pasi deri më sot, nuk janë hetuar bashkëpunëtorët dhe institucionet e përfshira.
Për të kuptuar skemën e funksionimit të kësaj “vjedhjeje” ende të dyshuar duhet parë roli i disa prej figurave të përfshira ku një nga personazhet kyç të kësaj afere është Leonidha Çobo.

Ai është quajtur "Loni i Bankersit" dhe konsiderohet si ideatori i mashtrimeve. Çobo ka qenë administrator i Bankers nga viti 2010 deri në 2015. Gjatë kësaj periudhe, ai ka përfituar rreth 100 milionë euro përmes mashtrimeve fiskale.
Paratë i ka transferuar te kompani të kontrolluara prej tij në Shqipëri dhe Itali. Këto kompani janë përdorur për pastrim parash dhe investime. Ai zotëron vila dhe prona luksoze, përfshirë një në “Rolling Hills” me vlerë rreth 20 milionë euro. Skema vazhdoi edhe pas largimit të Çobos nga drejtimi i kompanisë.

Një tjetër bashkëpunëtor është biznesmeni Behar Çukaj i kompanisë “Bolv Oil”, ku dyshohet se ka përfituar miliona euro nga Bankers përmes kontratave të dyshimta. Çukaj është i njohur për lidhje me kontrabandën e karburanteve. Ai ka investuar paratë në ndërtim dhe prona në Tiranë.

Edhe Frident Kuqi, pronar i kompanisë tjetër të karburanteve “Elda”, dyshohet se është përfshirë në këtë aferë. Kompanitë e tij dyshohet se kanë bashkëpunuar me ato të Çobos në transaksione fiktive.
Pasi Çobo u përjashtua nga Bankers, ai vazhdoi të faturonte kompanitë e Kuqit. Këto kompani rezultojnë pa punonjës dhe janë konsideruar fantazma.
Idajet Ismailaj, pronar i Albstar-it, është një tjetër emër i përfolur si i përfshirë në këtë aferë, ku vetëm në vitin 2011, ai përfitoi 22 milionë euro nga Bankers. Kjo u bë përmes tenderave dhe faturave fiktive.

Auditimi i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ka zbuluar shkelje të rënda. Bankers kishte deklaruar 247 milionë dollarë si shpenzime të rreme. Kjo i ka kursyer kompanisë 60 milionë dollarë në taksa.
Përfitimet nga TVSH dhe mosdeklarimi i fitimeve ishin pjesë e skemës. Ndërkohë, pavarësisht fakteve dhe denoncimeve, Prokuroria e Fierit kritikohet se ka zvarritur hetimet, duke mos ndjekur kompanitë nënkontraktore, institucionet shtetërore apo personat e lidhur politikisht me këtë aferë.
Kjo ka ngritur dyshime për ndërhyrje dhe ndikim politik. Kryeministri ka bërë thirrje për zbardhjen e skandalit, ndërsa shumë qytetarë kërkojnë që dosja të kalojë tek SPAK.
“Këto 18 muaj na kanë mjaftuar për të bërë një analizë shumë të qartë, të një sistemi të korruptuar dhe zhvatësish e grabitësish që shtrihet në të gjithë zinxhirin. Bazuar në auditin ndërkombëtar, ne do të marrim edhe rezultatin e të gjitha problematikave që ka shteti shqiptar, dhe për çdo problematikë kompania do të vihet përpara përgjegjësisë si në SHBA, Gjermani apo Kanada. Ne nuk kemi luksin të mbyllim sytë apo të humbim qoftë edhe 1 litër naftë që nuk na e kanë dhënë të huajt dhe aq më tepër të na e marrin siç ju teket atyre. Ashtu si me universitetet na kanë lënë me kontrata fantazmë”, deklaroi kryeministri Rama për rastin në fjalë.
Vetëm SPAK mund të hetojë në themel këtë çështje, pasi rasti përfshin korrupsion, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal dhe të gjitha këto janë në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme. Populli pret drejtësi dhe ndëshkim për ata që kanë grabitur pasuritë kombëtare dhe është e palejueshme që miliarda euro të zhduken e askush të mos mbajë përgjegjësi.

