Detajet/ Përplasje e re Bajri-Lici në Shkodër? Policia dyshon se autori Ragip Gila ka vepruar si vrasës me pagesë

Ragip Gila, është marrë në pyetje nga oficerët e policisë kriminale në Shkodër, duke u shpjeguar se vrasjen e Erogen Vasos, e kishte planifikuar i vetëm dhe nuk është shtyrë nga askush.

Sipas Ragip Gilës, Erogen Vaso alias Brajoviç, e kishte kërcënuar disa herë në Shkodër dhe i kishte bërë si i fortë.

Ndaj në shenjë hakmarrje për këto zënka, ai ka planifikuar vrasjen e tij mëngjesin e sotëm në një lokal ku Vaso qëndronte shpesh, për shkak se ishte poshtë apartamentit të tij në Shkodër.

Por policia nuk e beson këtë version të dhënë nga Gila, duke ngritur dyshime të forta se ai ka vepruar si vrasës me pagesë.

Pas daljes nga burgu, Ragip Gila, shoqërohej shpesh me Lulzim Kullën, kunatin e Mustafa Licit, të dy kundërshtarë të grupit Bajri në Shkodër.

Mesditën e sotme policia e Shkodrës ka kryer disa kontrolle në Shkodër, mes të cilave dhe në banesën e Mustafa Licit, ku aty janë gjetur disa sende.

Kontrolle janë kryer dhe në banesën e Lulzim Kullës, kunatit të Mustafa Licit, ku policia ka gjetur tri armë zjarri.