Belgjika lajmëroi njohjen e Palestinës, autoritetet palestineze mirëpresin vendimin e qeverisë belge

Ministria e Jashtme palestineze, që drejtohet nga Autoriteti Palestinez, i ka mirëpritur planet e qeverisë belge për ta njohur një shtet palestinez.

Të martën, ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, tha se vendi i tij do ta bënte këtë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), më vonë gjatë shtatorit, raporton DPA.

Megjithatë, Prevot tha se vendimi do të hynte në fuqi vetëm pasi të jetë liruar pengu i fundit nga Gaza, dhe pasi të jetë çmilitarizuar Hamasi, grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian.

“Ky qëndrim parimor është plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat e OKB-së dhe mbrojtjen e zgjidhjes me dy shtete, dhe përfaqëson mbështetje jetike për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shkroi Ministria e Jashtme palestineze në platformën X.

“Ministria u bën thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Shtetin e Palestinës, ta bëjnë këtë urgjentisht”, shkroi më tej ajo.

Njohja e shtetësisë do të “forconte përpjekjet praktike për të ndalur krimet e gjenocidit, dëbimin me forcë, urinë dhe aneksimin nga Izraeli, duke hapur një horizont të vërtetë politik për të zgjidhur konfliktin dhe për t’i dhënë fund okupimit izraelit të Shtetit të Palestinës”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme palestineze.

Izraeli po kryen një prej operacioneve më të mëdha që kur Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke nxitur luftë më 7 tetor 2023. Izraeli thotë se shënjestron vetëm militantët dhe fajëson Hamasin për viktimat civile në Gazë.

Deri më tani, si pasojë e ofensivës izraelite janë vrarë më shumë se 63.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Kjo ministri thotë se edhe më shumë se 160.000 të tjerë janë plagosur – por, në shifrat që ky institucion publikon, nuk bëhet dallimi mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve./REL