Shefi i ushtrisë izraelite paralajmëron për qeverisje ushtarake në Gaza

Shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, ka paralajmëruar se plani për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës do të çojë në krijimin e një administrate ushtarake izraelite në këtë territor, raportoi sot  faqja izraelite ynet.

”Ju po shkoni drejt një qeverisjeje ushtarake. Plani juaj po na çon atje. Kuptoni pasojat”,  u tha Zamir mbrëmë anëtarëve të kabinetit të sigurisë izraelite

Kreu i shtabit të përgjithshëm izraelit theksoi se udhëheqja politike e vendit nuk po përgatit asnjë alternativë për periudhën pas luftës.

Në kuadër të marrëveshjeve me palestinezët, Izraeli ia ktheu administrimin civil Autoritetit Palestinez më shumë se 30 vite më parë, ndërsa vazhdoi të kontrollonte kufijtë.

Tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës në vitin 2005 solli fundin e pranisë ushtarake izraelite në territor, ndonëse forcat izraelite vijuan të kontrollojnë kufijtë. Hamas mori pushtetin në zonë në vitin 2007.

Një rikthim te administrata ushtarake do të përbënte një hap prapa dhe do të zbehte shpresat për një zgjidhje me dy shtete.

Sipas raportit të ynet, Zamir ka kërkuar një marrëveshje me Hamasin për lirimin e më shumë pengjeve. Kryeministri Benjamin Netanyahu është shprehur kundër një votimi për këtë çështje, duke theksuar se nuk ishte në rendin e ditës të mbledhjes.

Hamas deklaroi në mes të muajit të kaluar se kishte pranuar një propozim të ri nga ndërmjetësuesit për armëpushim. Izraeli ende nuk ka dhënë përgjigje për këtë nismë.

Aktualisht, 48 pengje mbahen ende në Rripin e Gazës, prej të cilëve qeveria izraelite beson se 20 janë ende gjallë.

Zamir ka paralajmëruar më herët se marrja nën kontroll e qytetit të Gazës do të rrezikonte jetën e tyre.