Fico takohet me Putinin dhe Zelenskyn
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, planifikon të zhvillojë takime me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky këtë javë, tha ai në një mesazh video të publikuar sot.
Ai tha se synon të takojë Putinin në Pekin nesër në mbrëmje gjatë një udhëtimi në Kinë, para se të takohet me Zelenskin, në lindje të Sllovakisë të premten.
Fico udhëton në Kinë për të marrë pjesë në ngjarje përkujtimore që shënojnë përvjetorin e Luftës së Dytë Botërore, përfshirë një paradë ushtarake të mërkurën.
Fico njoftoi se do të pritet të enjten nga presidenti kinez, Xi Jinping, duke shtuar se partnerët e tij të BE-së janë informuar për udhëtimin e tij.
Fico dëshiron të veprojë si ndërmjetësues paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, por deri tani ka dështuar, me Zelenskin dhe politikanë kryesorë të BE-së që e akuzojnë se është tepër miqësor ndaj Rusisë.
Sllovakia dhe Ukraina janë gjithashtu të përfshira në një mosmarrëveshje mbi pengimin nga ana e Kievit të transitit të gazit dhe naftës ruse drejt Sllovakisë, e cila është më e varur nga energjia ruse se sa pothuajse çdo vend tjetër i BE-së.
Në mesazhin e tij video të publikuar në Facebook, Fico shprehu keqardhje që asnjë udhëheqës tjetër i BE-së nuk po merr pjesë në festimet kineze, duke e quajtur një mundësi të humbur.
“Udhëheqës shtetesh që përfaqësojnë miliarda njerëz do të jenë të pranishëm atje”, tha ai.
“Po lind një rend i ri botëror, rregulla të reja për një botë multipolare, një ekuilibër i ri fuqie që është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin global”, shtoi Fico.

