Dhunë në protestat kundër emigracionit në Australi, 50 burra sulmojnë gratë e kampit aborigjen
Fundjava në Australi u shoqërua me protesta të dhunshme kundër imigracionit, ku grupe neo-naziste u përfshinë në sulme dhe përplasje me protestues të tjerë dhe policinë.
“The Guardian” raporton se në Melburn, një grup burrash të lidhur me një organizatë neo-naziste sulmuan një kamp protestues të popujve autoktonë, të njohur si “Camp Sovereignty“, i cili ndodhet në zonën e Kings Domain. Sipas dëshmive dhe pamjeve video të publikuara online, rreth 50 burra të veshur me të zeza sulmuan gratë që ishin në kamp duke protestuar, duke i goditur dhe duke i hedhur përtokë.
Katër gra, të gjitha të reja dhe me ngjyrë, u plagosën dhe dy prej tyre përfunduan në spital me lëndime të rënda në kokë. Sulmuesit thuhet se bërtisnin slogane si “pushtet i bardhë” dhe përdornin gjuhë raciste dhe seksiste.
Senatorja Lidia Thorpe e dënoi sulmin si një “akt i hapur urrejtjeje raciste” dhe kërkoi që ngjarja të hetohet si krim urrejtjeje.
“Qëllimi i këtij sulmi ishte të krijonte frikë dhe tmerr në zemrat dhe mendjet e popullit tonë, dhe të njerëzve me ngjyrë në mbarë vendin,” tha Thorpe në një deklaratë. Xhaxhai i senatores është plaku autokton Krautungalung Robbie Thorpe, i cili themeloi kampin mbi një varrezë të shenjtë aborigjene.
Ndërkohë, në Sidnei, policia ndërhyri në një hotel në zonën Broadway ku ndodhi një përleshje. Dy burra u arrestuan pasi dyshohet se sulmuan një oficer policie. Oficeri pësoi lëndime të lehta dhe të dy burrat do të dalin në gjykatë.
Këto incidente ndodhën gjatë protestave të organizuara nga grupe anti-imigracioni dhe të ekstremit të djathtë, të cilat u zhvilluan në qytete të ndryshme të Australisë. Protestat u shoqëruan me përplasje të dhunshme, sidomos në Melburn, ku policia arrestoi 12 persona dhe përdori gaz lotsjellës dhe municione speciale për të ndalur dhunën.
