Ç'po ndodh? Trump, Biden dhe Clinton në qendër të spekulimeve për shëndetin
Trump, dhe dy ish-presidentët amerikanë Joe Biden dhe Bill Clinton janë rikthyer në vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, duke nxitur një valë spekulimesh dhe teorish konspirative.
Prej disa ditësh, mungesa e Donald Trump në evente publike ka ngjallur shqetësim te mbështetësit e tij dhe ka shtyrë përhapjen e hashtagut #TrumpIsDead (“Trump ka vdekur”) në rrjetin X (ish-Tëitter). Tensionet u shtuan më tej kur në disa pamje të publikuara nga të afërm të stafit të tij, Trump shihet duke luajtur golf, por me pamje të fryrë dhe lëvizje të pasigurta.
Megjithëse mjeku personal ka deklaruar se ai është “në gjendje të shkëlqyer shëndetësore”, rrjetet sociale kanë shpërthyer me analiza të detajuara të ecjes, duarve të mavijosura dhe spekulimeve mbi përdorimin e një kateteri.
Stafi i Trump ka pranuar së fundmi se ai vuan nga një insuficiencë kronike venoze, një gjendje e zakonshme te personat mbi 70 vjeç. Disa përdorues në rrjete sociale madje pretendojnë se kanë identifikuar një pajisje të vendosur në këmbën e tij të djathtë.
Këto spekulime rikthejnë një model të njohur për publikun: fshehtësia për sëmundjet e liderëve dhe mosbesimi ndaj informacionit zyrtar, një fenomen i përhapur edhe në vende me regjim autoritar. Kjo i ka bërë shumë analistë ta krahasojnë Trump me Vladimir Putin. Presidenti rus, 72 vjeç, prej vitesh përflitet se vuan nga sëmundje të rënda si Parkinson apo Alzheimer, ndonëse në paraqitjet publike ka shfaqur vitalitet.
Por, Trump nuk është i vetmi në qendër të vëmendjes. Joe Biden, 82 vjeç, është përballur prej kohësh me akuza për rënie të aftësive mendore. Së fundmi, burime të afërta kanë lënë të kuptohet se ai vuan nga një formë agresive e kancerit të prostatës, me metastaza në kocka, në fazë të avancuar. Çdo mungesë e tij në aktivitetet publike shihet si një shenjë alarmi. Deklarata e zëvendëspresidentit JD Vance, i cili u shpreh se “është i gatshëm të marrë detyrën në rast të një tragjedie”, ka shtuar edhe më shumë dyshimet në opinionin publik.
Ndërkohë, Bill Clinton, 79 vjeç, ka tërhequr vëmendje pas publikimit të një fotografie ku shihet duke zbritur nga një avion në një aeroport të vogël në Hamptons, duke mbajtur një valixhe që ngjante me një defibrilator portativ Propaq MD, pajisje që përdoret për monitorimin e pacientëve me rrezik të lartë kardiak.
Clinton ka një histori të gjatë me problemet kardiake: në vitin 2004 iu nënshtrua një operacioni për bypass të katërfishtë, ndërsa në vitin 2010 iu vendosën stentë koronare. Katër vite më parë u shtrua në spital për një infeksion urinar. Në qershor, një video ku ai shihej duke u penguar në një trotuar në Nju Jork mjaftoi që tabloidët të ngrenë dyshime për gjendjen e tij fizike.
Në një klimë të dominuar nga teoritë konspirative dhe mosbesimi ndaj mediave tradicionale, çdo lëvizje apo mungesë e liderëve të moshuar amerikanë interpretohet si tregues i sëmundjeve serioze, duke krijuar më shumë pasiguri sesa qartësi në publik.
