RSF dhe Avaaz mobilizim global për mbrojtjen e gazetarëve në Gaza
Qindra media ndërkombëtare, të bashkuara nga organizata Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Avaaz (organizatë joqeveritare), kanë nisur një mobilizim global duke kërkuar mbrojtjen e gazetarëve palestinezë në Rripin e Gazës, evakuimin e menjëhershëm të atyre që duan të largohen dhe mbajtjen përgjegjësi për krimet e kryera nga ushtria izraelite.
Sipas RSF, në pothuajse 23 muaj, ushtria izraelite ka vrarë 220 gazetarë në Gaza.
Vetëm në natën mes 10 dhe 11 gushtit, një sulm i drejtuar kundër korrespondentit të Al-Jazeera-s, Anas al-Sharif, shkaktoi vrasjen e gjashtë gazetarëve. Ndërsa më 25 gusht, ushtria izraelite vrau edhe pesë gazetarë të tjerë.
Në solidaritet, mediat në rreth 50 vende të botës, përfshirë Kosovën me tre media kryesore, Koha Ditore, KTV dhe Koha.net, publikuan sot faqe gazetash të errësuara pjesërisht ose plotësisht, mesazhe audio apo video në radio e televizione, si dhe banera në portalet online për të dënuar këtë dhunë sistematike kundër gazetarëve palestinezë.
Kjo fushatë globale mbështetet në tre kërkesa kryesore:
–Dënimi i vrasjes së gazetarëve nga ushtria izraelite
–Lejimi i evakuimit urgjent të gazetarëve palestinezë që dëshirojnë të largohen
–Lejimi i hyrjes së pavarur të shtypit ndërkombëtar në Gaza.
Me vetëm tetë ditë deri në hapjen e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, organizatat mediatike kërkojnë nga komuniteti ndërkombëtar veprime urgjente, duke i bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ndalojë krimet e ushtrisë izraelite kundër gazetarëve palestinezë.
