“1000 euro për mos të hequr tendën e një lokali” – Lihet në burg inspektori i IMT-së, Klajdi Zhilla
Lihet në masën arrest me burg dhe inspektori tjetër i IMT-së Klajdi Zhilla për korrupsionin 1 mijë euro për mos heqjen e një tende në zonën e Kombinatit në Tiranë.
Zhilla u vetëdorëzua disa ditë pas operacionit të policisë dhe SPAK-ut, ndërsa të shtunën në burg u la dhe inspektori Gerald Fuçia.
Burime bëjnë me dije se brenda seancës gjyqësore, Klajdi Zhilla dhe avokati i tij, Andi Skënderi, kanë mohuar akuzat.
Zhilla pretendon se nuk ka qenë në dijeni të pazareve që janë bërë për subjektin në fjalë.
Zhilla thotë se atë ditë ai ka qënë me shërbim në një tjetër, subjekt i cili ishte planifikuar për prishje.
Madje thotë se të nesërmen ai ka shkuar në një lokal me porosi të kolegut të tij, Geraldo Fuqia, për të marrë një porosi. Sipas avokatit edhe transkriptet dhe fabula e organit të akuzës është ndërtuar gabim.


