Xhihani: Studentët shqiptarë ende zgjedhin degët tradicionale, por po rritet interesi për programet profesionale
Eksperti i punësimit Arbër Xhihani, në një lidhje për "Ora News", u shpreh se edhe këtë vit studentët shqiptarë mbeten të fokusuar te degët tradicionale si mjekësia, teknologjia dhe drejtësia, ndërsa theksoi se po vërehet një rritje e aplikimeve drejt degëve teknike dhe profesionale.
" Po ti referohemi shifrave duket qartë që studentët shqiptar mbeten akoma në preferencat si studentët e kaluar. Degët që preferohen mbeten degët tradicionale siç janë mjekësia, teknologjia dhe ekonomia apo drejtësi.
Këtu shikohet se studentët akoma nuk janë të hapur drejt risive që kërkon tregu i punës, pasi preferojnë të kenë këto drejtime historike të cilat i garantojnë në mënyrë të përgjithshme një treg pune.
Po ti referohemi shifrave ka pasur një numër shumë të lartë aplikimesh në fazën e parë, e cila është mbyllur sot.
Ka pasur mbi 20 mijë studentë të cilët kanë aplikuar në universitete. Pjesa më e madhe kanë qenë aplikime pikërisht për degët që përmendëm, por ka një element pozitiv në aplikimet e vitit 2025 pasi siç shikohet ka pasur një prirje në rritje përsa i përket aplikimeve në ato degë teknike apo profesionale të cilat zakonisht ka pasur një % aplikimi midis 5 dhe 7% dhe këtë vit ka kapërcyer pragun 10% çka tregon se studentët po orientohen drejt universiteteve apo degëve profesionale të cilët mund ti aplikojnë apo mund ti garantojnë një vend pune të shpejtë", u shpreh Xhihani.
