VIDEO/ Me çantë me kanabis drejt Tiranës, arrestohen dy transportuesit në Kamëz

Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion antidrogë, i koduar “The Bag”, në zonën e Kamzës. Dy shtetas u arrestuan në flagrancë teksa po transportonin një çantë me lëndë narkotike, që dyshohet se ishte destinuar për tregun e Tiranës.

Të arrestuarit janë shtetasit E. Ç., 18 vjeç dhe A. N., 26 vjeç, të cilët u kapën nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në fshatin Zall Mner.

Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një çantë që përmbante rreth 675 gramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e cila dyshohet se po transportohej me qëllim shitjen në kryeqytet.

Operacioni u zhvillua në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe u koordinua me strukturat hetimore për luftën kundër narkotikëve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore.