VIDEO/ Arrestohet pronarja e një marketi në Sarandë! Sekuestrohen produkte kozmetike dhe qindra artikuj të tjerë

Policia e Sarandës ka goditur një rast të kontrabandës me mallra që paguhet akcizë, gjatë një kontrolli në një market në qytetin bregdetar, dhe arrestoi në flagrancë administratoren e subjektit tregtar.

Në pranga ra S. K., 49 vjeçe, banuese në Sarandë, e cila rezulton se kishte në subjektin e saj mallra kontrabandë dhe pa dokumentacion përkatës.

Gjatë kontrollit në ambientet e marketit, u sekuestruan:
• 402 copë produkte kozmetike
• 195 paketime kafe
• qindra artikuj të tjerë, të dyshuar si të kontrabanduara, pa fatura blerjeje

“Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme, të bazuara edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Vlorë, gjatë një kontrolli në një subjekt tregtar të tipit market, në Sarandë, konstatoi mallra kontrabandë, në shkelje të legjislacionit tatimor dhe doganor dhe, si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasja:

• S. K., 49 vjeçe, banuese në Sarandë, administratore e subjektit tregtar, për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në përfundim, u bë sekuestrimi i një sasie të konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë dhe mallrash për të cilat paguhet akcizë, të cilat nuk ishin të shoqëruara me dokumentacion përkatës blerjeje, dhe konkretisht: 402 copë produkte kozmetike; 195 paketime kafe dhe produkte të tjera të dyshuara kontrabandë.”- njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.