VIDEO/ Vijon aktive vatra e zjarrit në zonën pyjore mbi fshatin Miras
Vatra e zjarrit në zonën pyjore me bimësi të dendur mbi fshatin Miras, me bimësi të përzier (dushk, pishë etj.) vijon aktive prej ditës së djeshme.
Prefekti i Korçës, Nertil Jole u shpreh sot se, që prej orës 05:00 të mëngjesit, forcat zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat vendore dhe banorë të zonës po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve. Në total janë angazhuar rreth 75 forca nga kapacitetet e deklaruara të bashkisë.
Për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së infrastrukturës rrugore, ndërhyrja në brendësi të pyllit është e vështirë, duke kërkuar ecje në këmbë për të mbërritur pranë vatrave, theksoi Jole, duke shtuar se, zjarri si pasojë e erës ka marrë shtrirje dhe ka përfshirë sipërfaqe me pisha, çka e bën situatën komplekse.
Në këto kushte, theksoi Jole, “kemi koordinuar me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, dhe gjatë ditës së sotme kemi siguruar edhe mbështetje nga ajri për të neutralizuar intensitetin e flakëve”.
“Gatishmëria e strukturave të emergjencave civile është maksimale! Puna po vijon në terren dhe nga ekipet është organizuar ndërhyrja edhe ditën e nesërme që në orën 5 tē mëngjesit”, shkroi Jole në një postim në rrjetet sociale.
Jole gjithashtu ripërsëriti apelin për kujdes të shtuar nga të gjithë, për të shmangur situata të tilla që kërkojnë shumë energji njerëzore e shpenzime buxhetore për t’u neutralizuar.

