Tiranë/ Përplas këmbësoren 24-vjeçe me makinë, arrestohet 19-vjeçari
Një aksident është shënuar në Tiranë, ku një 19-vjeçar ka përplasur me makinë një vajzë 24-vjeçe, e cila ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja ndodhi më datë 28 gusht, dhe sipas njoftimit zyrtar nga Policia, shtetasi R. Gj., 19 vjeç, u arrestua pasi me mjetin që drejtonte aksidentoi këmbësoren M. Z., 24 vjeçe.
Policia Rrugore dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit, ndërsa e reja po trajtohet nga mjekët për plagët e marra.
Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.
Njoftimi i policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. G., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka shqetësuar nëpërmjet celularit një 21-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. M., 54 vjeç, pasi dyshohet se ushtronte aktivitet tregtar pa deklaruar të ardhurat dhe pa lëshuar kupon tatimor.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
• arrestuan shtetasin E. B., 51 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori për shtetasin G. P., 52 vjeç, pasi në subjektin që administrohej nga 51-vjeçari dhe ku punonte si inxhinier shtetasi G. P., u konstatuan punime ndërtimi pa leje;
• shpallën në kërkim shtetasin M. M., 54 vjeç, pasi ka kanosur përmes celularit një 36-vjeçar;
• referuan materialet në Prokurori për shtetasin M. D., 75 vjeç, pasi nga pakujdesia ka djegur një sipërfaqe me bar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për:
• shtetaset E. B. dhe S. N., pasi në rrugën “Grigor Heba” janë konfliktuar fizikisht me njëra-tjetrën;
• shtetasin G. F., 50 vjeç, pasi dyshohet se në shkelje të urdhrit të mbrojtjes të caktuar nga Gjykata, ka ofenduar bashkëshorten e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori për shtetasin F. F., 31 vjeç, pasi për motive të dobëta ka goditur me grusht një 34-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori për shtetasen M. K., 59 vjeçe, pasi ka kanosur një 44-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori për shtetasin P. D., 62 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur dhe përndjekur një 39-vjeçare.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
• arrestuan shtetasin R. Gj., 19 vjeç, pasi me automjetin që drejtonte aksidentoi këmbësoren M. Z., 24 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve;
• ekzekutuan urdhrin e Prokurorit për ndalimin e shtetasit E. R., 39 vjeç, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj burgim për veprën penale “Drejtim i automjeteve në gjendje të dehur”;
• arrestuan shtetasit K. B., 36 vjeç dhe Xh. M., 23 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.
Më datë 28.08.2025, në rrugën “Skënder Kosturi”, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.


