“PARAARDHËSI” I KROKODILIT/ Zbulohet në Indi fosili 200 milionë vjeçar, ekspertët: Fitosauri jetonte edhe në tokë edhe në ujë

Një fosil i rrallë, që i përket para-ardhësit të krokodilit është gjetur në një fshat të Indisë. Gjallesa e emërtuar si fitosaur, besohet se ka jetuar rreth 200 milionë vjet më parë, edhe në tokë dhe në ujë.

Studiuesit në Indi zbuluan mbetjet fosile të një specie të rrallë të ngjashme me krokodilin, që daton më shumë se 200 milionë vjet më parë.

I njohur si “fitosaur”, fosili është rreth 2 metra i gjatë dhe thuhet se i përket epokës Jurasike.

Fitosauri jetonte pjesërisht në ujë, dhe pjesërisht në tokë.

Fosili i rrallë u gjet nga një grup punonjësish të departamentit të menaxhimit të ujit të shtetit, ndërsa po vepronin në terren në shtetin perëndimor të Rajasthanit.

Për hidrogeologun  Dr. Narayandas Inkhiya, gjetja e tij do të thotë shumë, pasi do të dalin në pah fakte të reja mbi historinë e evolucionit të gjallesave.

“Ky vend mund të mbajë shumë fosile të fshehura, që do na japin të dhëna jetësore dhe interesante mbi historinë e evolucionit.

“PARAARDHËSI” I KROKODILIT/ Zbulohet në Indi fosili 200

Ky rast është i veçantë, pasi kemi të bëjmë me një specie që ka jetuar edhe në lumë dhe në tokë, që më pas evoluoi në krokodilët që i njohim sot.

Gjithashtu, fosile të tilla janë pasuri dhe për zonën, pasi e shndërrojnë në një destinacion të rëndësishëm për turizmin fosil”, tha ai.

“Ky fosil i gjetur tregon një fitosaur të madhësisë mesatare që ndoshta ka jetuar pranë një lumi këtu miliona vjet më parë dhe ka ngrënë peshk për të mbijetuar”, sqaroi më tej një paleontolog. 

Mbetjet e fitosaurit ishin identifikuar për herë të parë nga disa fshatarë, ndërsa po gërmonin në një liqen të zonës. Ata më pas informuan autoritetet, dhe gërmimet nisën menjëherë.

Kur vendi u gërmua, studiuesit thanë se gjetën disa vezë të fosilizuar, të cilat tani besohet se i përkasin zvarranikut të sapo-identifikuar.

Jaisalmer është një vend, i cili besohet se ka shërbyer dikur si habitat edhe për dinosaurët në epokën Jurasike. Në vazhdimësi shkencëtarët kanë zbuluar fosile, që kanë rezultuar se i përkisnin disnoaurëve.

Madje, sipas Shërbimit Gjeologjik të Indisë, dinosauri më i vjetër barngrënës është zbuluar pikërisht në shtetin Indian.