FOTO+VIDEO/ Piktura e grabitur 80 vite më parë nga nazistët zbulohet rastësisht në Argjentinë

Pikturë e rrallë e vjedhur nga nazistët, e humbur për më shumë se 80 vjet, zbulohet rastësisht në Argjentinë. Vepra e mjeshtrit italian Giuseppe Ghislandi u identifikua në një reklamë për shitjen e një vile pranë Buenos Airesit. Ajo dikur ishte pjesë e koleksionit të tregtarit hebre të artit, i plaçkitur nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore

Një mister 80-vjeçar i plaçkitjes së artit nga nazistët ka dalë në dritë. Një pikturë e rrallë e artistit italian Giuseppe Ghislandi, dikur pjesë e koleksionit të tregtarit hebre Jacques Goudstikker, është zbuluar rastësisht në Argjentinë.

Vepra e artit u identifikua në një reklamë për shitjen e një vile luksoze pranë Buenos Airesit, dikur në pronësi të një ish-oficeri të SS-së, Friedrich Kadgien, ndihmës financiar i Hermann Göring. Pas arratisjes nga Evropa, Kadgien u vendos në Amerikën e Jugut, duke marrë me vete edhe pasuritë e plaçkitura.

Më shumë se 1,100 vepra arti u grabitën nga koleksioni i Goudstikker gjatë luftës. Në vitin 2006, pasardhësja e tij Marei von Saher rikuperoi 202 prej tyre, por shumë të tjera, përfshirë këtë pikturë, mbetën të humbura deri tani.

FOTO+VIDEO/ Piktura e grabitur 80 vite më parë nga nazistët

Autoritetet holandeze po bashkëpunojnë me avokatët e familjes Goudstikker për të rikthyer veprën. Ndërkohë, trashëgimtarët e ish-oficerit nazist nuk kanë komentuar mbi pronësinë e pikturës.

Një zbulim që jo vetëm kthen në vëmendje plagët e së kaluarës, por edhe betejën e gjatë për drejtësi dhe trashëgimi kulturore.