SPACEX NDËRPRET TESTIN E DHJETË! Raketa gjigante e Elon Musk nuk u ngrit nga baza në Teksas

SpaceX ndërpreu testin e dhjetë të Starship për shkak të një defekti teknik. Raketa gjigante e Elon Musk nuk u ngrit nga baza në Teksas, ndërsa kompania premton se do të rikthehet me prova të tjera.

SpaceX u detyrua të ndërpresë mbrëmjen e së dielës nisjen e testit të dhjetë të raketës gjigante Starship, për shkak të një problemi teknik në sistemet tokësore.

Tentativa për fluturim dështoi vetëm pak minuta para nisjes nga baza Starbase në Teksas, duke shtyrë për një datë tjetër provën e shumëpritur.

Në një njoftim në platformën X, kompania e Elon Musk konfirmoi anulimin, duke theksuar se ndërprerja u bë për të adresuar defektin e hasur, por pa dhënë më shumë detaje.

Raketa, e gjatë 123 metra, konsiderohet si më e madhja dhe më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë, tejkalon edhe legjendaren Saturn V, që çoi astronautët në Hënë në vitet ’60.

Ky ishte testi i dhjetë për Starship, pas një serie shpërthimesh dhe dështimesh gjatë këtij viti. Qëllimi i provës ishte të verifikohej aftësia për ngritje, hedhjen e disa pajisjeve provë dhe rikthimin në tokë pa u shkatërruar.

Ripërdorshmëria e plotë e raketës është një element kyç për vizionin e SpaceX, që synon të ulë ndjeshëm koston e fluturimeve hapësinore dhe të mundësojë misione drejt Hënës e Marsit.

Provat me Starship nisën që prej vitit 2018 me modele më të vogla, ndërsa në vitin 2021 një prototip arriti të ulej për herë të parë me sukses. Megjithëse sfidat teknike kanë qenë të shumta, SpaceX nënvizon se çdo test, edhe kur përfundon me anulim, është një hap përpara drejt përmirësimit të projektit.

Starship mbetet sot raketa më e madhe e ndërtuar ndonjëherë dhe simbol i ambicies për të çuar njerëz në planetin e kuq.