Avionët e teknologjisë së fundit, debati në SHBA është: “Me apo pa pilotë njerëzorë?”
Në një kohë kur teknologjia po përparon me ritme të shpejta, brenda Pentagonit ka shpërthyer një debat i thellë mbi të ardhmen e luftës ajrore: nëse Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të ndërtojnë avionë luftarakë me pilotë njerëzorë, apo ka ardhur koha që njeriu të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale.
Ky diskutim vjen ndërsa SHBA po investon miliarda dollarë në ndërtimin e gjeneratës së re të mjeteve ajrore luftarake, përfshirë programin NGAD, i cili parashikon përdorimin e avionit të gjeneratës së gjashtë, qe do quhet F-47.
Në qendër të këtij programi nuk qëndron thjesht një avion i ri, por një sistem i tërë i kombinuar. Avioni me pilot do të shoqërohet nga disa dronë autonomë të avancuar, të pajisur me inteligjencë artificiale, të njohur si “krahë besnikë”.
Këta dronë do të veprojnë në koordinim të plotë me avionin kryesor, duke marrë pjesë në misione luftarake, mbrojtëse apo vëzhguese, dhe duke rritur ndjeshëm fuqinë operacionale të një ekipi të vetëm ajror.

Ky koncept njihet si bashkëpunim njeri makinë, ku avionët me pilot dhe dronët pa pilot punojnë së bashku si një skuadër. Piloti kontrollon ose bashkërendon me dronët në kohë reale gjatë një misioni.
Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë dakord me këtë qasje. Një grup i konsiderueshëm ekspertësh të mbrojtjes po shtrojnë pyetjen nëse është ende e nevojshme të vazhdohet me ndërtimin e avionëve të rinj me pilot për pjesën e dytë të shekullit XXI.
Ata shpjegojnë se, me përparimet në fushën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e dronëve luftarakë të pavarur, nuk ka më arsye për të rrezikuar jetë njerëzore në kabinën e një avioni. Sulmet e fundit të bombarduesve amerikanë B-2 ndaj objektivave iraniane, ku pilotët fluturuan mbi 36 orë për të goditur objektiva strategjikë, janë përmendur si shembull i nevojës për të ndryshuar këtë situatë.

