“Nën të njëjtin qiell” – Notte della Taranta ndez Melpignanon me 150 mijë spektatorë
MELPIGNANO (LECCE), 23 gusht 2025 – Mbi 150 mijë spektatorë mbushën mbrëmë sheshin e ish-Konventit të Etërve Agostinianë në Melpignano për të marrë pjesë në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të verës italiane: edicionin e 28-të të “La Notte della Taranta”.
Këtë vit, Koncertoni mbajti titullin “Sotto lo stesso cielo” – “Nën të njëjtin qiell”, një mesazh reflektimi e shprese për kohën e trazuar që po jeton bota, i shoqëruar nga fjongo shumëngjyrëshe mbi instrumentet e artistëve dhe thirrje për paqe e mbrojtjen e fëmijëve viktima të luftërave.
Në krye të këtij spektakli monumental ishte Maestro concertatore David Krakauer, një nga klarinetistët më të mëdhenj në botë, i njohur për interpretimin brilant të muzikës klezmer dhe për stilin e tij që bashkon xhazin, klasiken dhe tingujt tradicionalë. Instrumenti i tij u bë “fili rrëfyes” i një nate ku tradita popullore salentine u takua me tinguj modernë nga kultura të tjera të botës. Koreografitë mbajtën firmën e Fredy Franzutti, i cili përpunoi vallen e pizzicës në një gjuhë bashkëkohore duke ruajtur vlerën arkaike e rituale të saj.

Skenën e ndanë dhjetëra artistë nga Italia e bota. Ndër ta u dallua kantautori shqiptar Ermal Meta, i cili emocionoi publikun me dy interpretime të veçanta: “Mediterraneo”, një himn për detin dhe kulturat që bashkohen në brigjet e tij, dhe “Lule Lule”, këngë tradicionale shqiptare në gjuhën arbëreshe, e cila u përjetua si një urë mes Salentos dhe rrënjëve shqiptare.
Një tjetër moment i fuqishëm ishte kënga “Araba fenice” e interpretuar nga këngëtarja italiane me origjinë palestineze TÄRA, ndërsa zëri i nu-soul italian Serena Brancale solli tingujt e jazz-it e të traditës bareze.

Po aq e veçantë ishte prania e artistes së re Anna Castiglia, që këndoi një këngë dashurie salentine “Beddha ci dormi”, si dhe e Giuliano Sangiorgi, lideri i Negramaro, që ndezi publikun me dy himnet e traditës “Lu rusciu de lu mare” dhe “Quannu te llai la facce la matina”.
Festa u bë më e plotë me performancën e grupit historik Canzoniere Grecanico Salentino, që këtë vit feston 50-vjetorin, dhe ritmet e fuqishme të Antonio Castrignanò me pizzicat e tij “Aria caddhipulina” dhe “Funtana gitana”.

Si çdo vit, repertori i “La Notte della Taranta” përfshiu edhe këngë të komuniteteve etnike që prej shekujsh jetojnë në Salento. Në mesin e tyre u soll edhe trashëgimia e komunitetit arbëresh, me rrënjë në qytezat San Marzano di San Giuseppe, San Giorgio Ionico dhe Villa Castelli, dëshmi e lidhjes historike shqiptaro-pugliese.

Skenografia, e realizuar nga artisti i njohur Pietro Ruffo, solli një kor simbolik të të rinjve nga gjithë Salento, të vizatuar një nga një, duke vallëzuar së bashku drejt Melpignanos si metaforë e bashkimit të popujve dhe gjeneratave nën të njëjtin qiell. Kostumet tradicionale shumëngjyrëshe, instrumentet antike si gajda, mandolina, kaceli, të shoqëruara me tinguj elektronikë modernë, krijuan një skenë ku e shkuara dhe e tashmja u ndërthurën në harmoni.

Presidenti i Fondacionit La Notte della Taranta, Massimo Bray, theksoi se ky eveniment është një thirrje për paqe, kulturë dhe punë për të rinjtë, duke u shprehur se kultura është ura që bashkon popujt dhe se koncerti është mbi të gjitha një festë e gëzimit, e paqes dhe e bashkëjetesës. Edhe Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano, e cilësoi si një pasuri të gjallë kulturore dhe një ambasadore të identitetit pugliese në botë.
Koncerti u transmetua drejtpërdrejt nga Rai 3, Rai Radio 2, Rai Italia dhe RaiPlay, duke mbërritur në miliona shtëpi në Europë, Amerikë, Azi e Afrikë. “La Notte della Taranta” mbetet një ngjarje unike që nga një festival lokal i pizzicës është shndërruar në një ritual kulturor ndërkombëtar, ku Salento dialogon me botën përmes gjuhës universale të muzikës dhe vallëzimit.

