Aktori i njohur Naum Shundi në gjendje të rëndë shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë dhe e Kulturës dalin garante për trajtimin mjekësor

Aktori, regjisori dhe dramaturgu i njohur, Naun Shundi, po kalon një periudhë të vështirë për shkak të një sëmundjeje që e ka detyruar të tërhiqet nga aktiviteti artistik.

Shundi, i cili është themeluesi i teatrit “Zonja e Bujtinës”, është larguar përkohësisht nga skena, për t’iu nënshtruar një trajtimi të specializuar në një spital në Francë. Por kostot e larta të kurës kanë rënduar mbi familjen e tij, e cila ka kërkuar ndihmë për përballimin e situatës.

Në reagim ndaj kësaj nevoje, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Kulturës kanë ndërhyrë, duke garantuar mbështetjen financiare për trajtimin e artistit.

Naun Shundi është një nga figurat më të vlerësuara të skenës shqiptare, me kontribute të shumta në teatër dhe dramaturgji, si dhe themelues i një hapësire të veçantë kulturore përmes teatrit të tij.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sqaron opinionin publik lidhur me gjendjen shëndetësore të aktorit të njohur Naun Shundi.

Pas njoftimit të marrë më datë 7 gusht 2025 nga MEKI, Ministria e Shëndetësisë është vënë menjëherë në kontakt me familjarët e aktorit dhe ka ofruar mbështetjen e saj të plotë. Fillimisht u garantua gatishmëria për mbulimin e të gjitha shpenzimeve të ndërhyrjes mjekësore të nevojshme.

Gjatë pritjes së rezultatit të biopsisë, u konstatua nevoja për mbështetje të mëtejshme në vijimin e trajtimit. Edhe në këtë fazë, Ministria rikonfirmoi gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë të plotë. Aktualisht, aktori pritet të rikthehet në Shqipëri, ku do të nisë trajtimin pranë Qendrës së Specializuar në QSUT.