VIDEO/ Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Baba Mondi, mesazh për besimtarët bektashinj
Në malin e Tomorrit, në Berat, ka nisur pelegrinazhi i përvitshëm që mbahet çdo fund gushti. Kryegjyshi botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, dha një mesazh urimi për besimtarët bektashinj, ndërsa shtoi se për të pesta ditët e shenjta janë marrë masat për t’u ardhur në ndihmë pelegrinëve në çdo moment.
Vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe situatës së zjarreve, në një kohë kur vendi është përfshirë nga temperaturat e larta dhe dhjetëra vatra zjarri.
“Jemi në ndihmë të pelegrinëve në çdo moment, duke filluar nga rruga, nga uji, nga çdo gjë sanitare që do t'u vijë në ndihmë atyre, nga pjekjet e mishit.
Gjithçka që u nevojitet atyre, ne do të jemi në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë në çdo moment. Këtu kanë ardhur gjithë këto ditë mijëra pelegrinë për të parë e për të marrë bekimin e këtij mali të shenjtë.
Policia, zjarrfikëset, mjekët… ne jemi në gatishmëri. Pra, kemi kaq ditë që punojmë, bile kemi bërë edhe një skemë se si do të përqendrohen njerëzit, ku do të vendosen çadrat, policia, zjarrfikësit, mjekësia. Kemi vënë edhe tabela që njerëzit të mos bllokojnë qarkullimin, por të venë lart direkt,” tha kryegjyshi botëror.
Mijëra besimtarë bektashinj mblidhen në teqenë e Kulmakut, për të kujtuar shenjtorin Imam Aliu. Pelegrinazhi zhvillohet nga data 20 deri në 25 gusht, ndërsa momentet kuliminante të festës së baba Tomorrit janë 22 dhe 23 gushti.

