Si po përballen të moshuarit amerikanë me botën marramendëse të inteligjencës artificiale

Një duzinë të moshuarish në një klasë në Maryland kishin përpara një sfidë të thjeshtë. Tomba Kambui, instruktori i tyre, tregoi në ekranin e kompjuterit disa foto. Ai pyeti klasën: "Cila është fotografia e krijuar nga inteligjenca artificiale?"

Seti i parë ishte i lehtë; dikush vuri re shpejt se koka e një gruaje ishte e shtrembëruar në një foto. Edhe i dyti ishte i qartë, kishte dy Kulla Eiffel në një selfie turisti. Më pas Kambui kaloi te një grup i tretë fotosh.

"Po kjo këtu?" tha ai. "Kjo është pak më e vështirë."

Në sallë pllakosi heshtja. Të gjithë shtrembëruan sytë dhe u përkulën për të parë më nga afër. Dy fotot e grave që po shkruanin në kompjuter ishin të ngjashme me realitetin, pa asnjë shenjë të dukshme të shtrembërimit nga AI. Më në fund Kambuitregoi një parregullsi të vogël tek gishtat e njërës prej grave.

"Kur bëhet fjalë për të dalluar imazhet e krijuara nga IA-ja… shikoni gishtat, krahët, dhëmbët, veshët," tha Kambui. Ai bëri një pauzë.

"Por po bëhet gjithnjë e më e vështirë ta dallosh," shtoi ai. Klasa murmuriti në shenjë dakordësie.

Të moshuarit amerikanë, të cilët kanë jetuar nëpër epokat e mëdha teknologjike si shfaqja e kompjuterëve personalë dhe internetit, tani po përballen me hovin marramendës të inteligjencës artificiale gjenerative. Disa sa po përshtaten me epokën e telefonave inteligjentë. Tani u duhet të mësojnë të lundrojnë në një botë online gjithnjë e më shumë e formësuar nga IA-ja.

IA-ja i ka mahnitur dhe i ka shqetësuar njëkohësisht, treguan të moshuar dhe instruktorë që drejtojnë klasa teknologjie për moshën e tretë për The Washington Post. Për disa të moshuar, chatbot-ët janë bërë ndihmës të dobishëm për planifikimin e udhëtimeve ose për të shkruar letra e libra.

Por IA-ja gjithashtu ka rritur fuqinë e mashtrimeve dhe dezinformatave që prej kohësh shënjestrojnë amerikanët e moshuar. Ata po ndeshen me përmbajtje të gjeneruar nga IA-jaqë përhapet në platforma si Facebook dhe YouTube. Në klasa si kjo në një qendër për të moshuar në Gaithersburg, Maryland, studentët habiten kur mësojnë sa e vështirë është të dallosh mes trillimeve të krijuara nga IA-ja dhe realitetit.

"Ishim shumë të impresionuar," tha Vandana Kharod, 84 vjeç. "Por në të njëjtën kohë, u frikësuam."

Kuizi për imazhet e gjeneruara nga IA-ja, që Kharod kaloi javën e kaluar, ishte pjesë e një kursi 10-javor të ofruar nga SeniorPlanet, një organizatë jofitimprurëse e lidhur me grupin lobuestë pensionistëve AARP, që prodhon burime edukative dhe drejton programe trajnimi.

Senior Planet dhe grupe të tjera që ofrojnë mësime teknologjie për të moshuarit po e shtojnë IA-në në programet e tyre, pasi një pjesë e vogël, por në rritje, e të moshuarve amerikanë po e ndesh këtë teknologji. 10% e amerikanëve mbi 65 vjeç thanë se e kishin përdorur ChatGPT, chatbot-in e OpenAI, sipas një sondazhi të Pew Research Center këtë pranverë. The Washington Post ka një marrëveshje përmbajtjeje me OpenAI.

Por pavarësisht nëse e njohin teknologjinë apo jo, të moshuarit po e ndeshin IA-në edhe përmes familjarëve dhe mbulimit mediatik. Disa po përdorin pa e ditur mjetet e IA-së, pasi kompanitë teknologjike instalojnë chatbot-e si Gemini i Google-it direkt në pajisjet e tyre.

"80% e të moshuarve të mi përdorin pajisje Android," tha Adrian Sutton, koordinator i mësimeve teknologjike për të moshuarit në Uashington, të drejtuara nga Zyra e Krye-Teknologut të qytetit. "Komanda 'Hey Google' po kthehet automatikisht në Gemini, në telefonat e tyre. Disa prej tyre e urrejnë."

IA-ja po u vjen të moshuarve edhe në formën e mashtrimeve dhe gënjeshtrave. Mashtruesit kanë përdorur mjete të IA-së për të falsifikuar zërat e familjarëve ose të agjentëve të pasurive të patundshme, duke u marrë viktimave mijëra dollarë. Teknologjia gjithashtu e ka bërë më të lehtë për kriminelët që të kërkojnë në internet për informacione personale dhe t'i shënjestrojnë më mirë viktimat.

Është një kufi i ri frikësues për të moshuarit, madje edhe për ata që kanë qenë të aftë në teknologji që në fillim. Kharod, e cila ndjek kursin e IA-së në Gaithersburg, tha se ka qenë e interesuar të ndiqte zhvillimet e reja teknologjike që nga vitet 1970, kur përdori një kompjuter Univac, një nga kompjuterët e parë tregtarë të zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore, si një "programuese e vjetër".

"Sot është i padobishëm," tha ajo duke qeshur. "Nipërit e mbesat e mia qeshin me mua."

Marlene Shemelynec, 76 vjeçe, gjithashtu u regjistrua në kursin e Gaithersburg-ut. Ajo kujton se bleu një makinë shkrimi elektrike IBM për në universitet, por e braktisi shpejt për laboratorin e kompjuterëve dhe dorëzonte punët e kursit në disketë. Ajo pati një Blackberry, më pas një smartphone. Por ato ndryshime nuk iu dukën aq të menjëhershme sa shfaqja e IA-së, për të cilën thotë se dëgjon "çdo ditë" në lajme.

"Është paksa marramendëse, të them të drejtën," tha Shemelynec. "Dhe për këtë arsye vendosa ta ndjek këtë kurs."

Në Gaithersburg, Kambui, instruktori i Senior Planet, i tregoi klasës si të hynte në ChatGPT dhe shpërndau fletë udhëzuese për të njohur shkrime të gjeneruara nga IA-ja ("jo origjinale dhe të parashikueshme" ose me një "ton që nuk përputhet me përmbajtjen e tekstit") dhe për bisedë me IA-në ("shpesh më e shpejtë se një kërkim bazë në internet").

Herë pas here, klasa në qendrën e të moshuarve dukej si një seminar universitar. Kambui shpjegoi terma si "halucinacione", gabimet dhe pavërtetësitë që mund të prodhojnë chatbot-ët e IA-së, dhe "machine learning", procesi i trajnimit të sistemeve kompjuterike për të parashikuar rezultate nga të dhënat që fuqizojnë IA-në.

"Nëse e dini këtë, jeni shumë para adoleshentëve," tha ai me shaka.

Kambui dhe instruktorë në programe të tjera anembanë vendit thanë se theksojnë rreziqet e mundshme të mashtrimeve me IAdhe rëndësinë e verifikimit të informacionit që prodhojnë chatbot-ët. Por ata gjithashtu duan t'i fuqizojnë të moshuarit që ta përdorin IA-në në mënyrë të sigurt.

"Fillimisht, ata tremben," tha Torrence Mack, një instruktor me bazë në Miami që jep kurse teknologjie për të moshuarit në Florida, Xhorxhia dhe Tenesi. "Por sa më shumë të flasësh për të dhe të gjesh mënyra se si mund t'u vlejë, aq më shumë duan ta provojnë."

Mack tha se një pjesëmarrës në një nga klasat e tij përdori ChatGPT për t'i shkruar letra administratorit të pallatit për të adresuar problemet me apartamentin e tij. Chatbot-i e ndihmoi të hartonte shpejt një ankesë të fortë, shtoi ai. Të tjerë e përdorin chatbot-in për të shkruar letra për nipërit e mbesat, për të planifikuar pushime ose për të hartuar rutina ushtrimesh.

LoriAnn Daniels, 63 vjeç, ndoqi një kurs të Senior Planet mbi IA-në në Plattsburgh, New York, dhe tha se tani po përdor IA-nëpër të shkruar dhe ilustruar një libër për fëmijë që shpreson ta botojë. Ajo tha se i pëlqen të përdorë ChatGPT për të hulumtuar tema historike, si dhe mënyra sesi chatbot-i e nxit të vazhdojë bisedat dhe të bëjë pyetje shtesë rreth një teme.

"ChatGPT është shumë i lehtë për t'u përdorur," tha Daniels. "Hapi më shumë krijimtari, më shumë pyetje… hyj më shpesh në ChatGPT sesa në Google."

Teksa po hante drekën në qendrën e të moshuarve në Gaithersburg pas një ore mësimi, Kharod tha se e kishte përdorur ChatGPT një herë për të shkruar një letër falënderimi për një mësuese. Por nuk është e sigurt nëse do ta kthejë në zakon. Ajo tha se është e shqetësuar që fëmijët, si mbesa e saj, mund të humbasin aftësitë e të shkruarit nëse mbështeten shumë tek chatbot-ët.

"Ajo duhet të shkruajë duke përdorur trurin e saj," tha Kharod. "Kohët po ndryshojnë."