'Një kg domate kushton 30 dollarë'/ Rrëfimet tronditëse të qytetarëve në Gaza: Hamë vetëm bukë e kripë

Uria katastrofike e shkaktuar nga bllokada e ndihmës në Gaza po rëndon mbi më të pambrojturit: të moshuarit, të rinjtë, të varfrit dhe të sëmurët.

Sipas ekspertëve të mbështetur nga OKB, kushtet e pasigurisë ekstreme ushqimore tashmë mund të cilësohen si “uri masive”, duke përmbushur tre kriteret kyçe të shpalljes së një urie, raporton The Guardian.

“Kjo është diçka që e kemi thënë prej muajsh. E kemi parë, e kemi përjetuar dhe jemi duke vuajtur nga kjo.

Ndjehemi shumë të pafuqishëm, shumë të sëmurë dhe të lodhur,” tha Amjad Shawa, drejtori i Rrjetit të OJQ-ve Palestineze në qytetin e Gazës.

Klasifikimi i Fazave të Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), organizatë që përcakton ashpërsinë e pasigurisë ushqimore në nivel global, konfirmoi të premten se kushtet në Gaza kanë arritur pikën kritike.

Që nga themelimi i saj në vitin 2004, IPC ka shpallur vetëm katër uri, e fundit në Sudan vitin e kaluar.

Në raport theksohej se “kjo uri është tërësisht e shkaktuar nga njeriu, mund të ndalet dhe të kthehet mbrapsht” nëse vendoset menjëherë një armëpushim dhe rikthehen furnizimet ushqimore.

Sipas organizatave humanitare, mes 500,000 dhe 800,000 palestinezë në Gaza janë në rrezik të drejtpërdrejtë, veçanërisht ata që nuk kanë mundësi të sigurojnë ushqim për shkak të sëmundjeve, moshës apo izolimit social.

Një prej tyre është Sabah Antaiz, 55 vjeç, e zhvendosur nga lagjja Tuffah, e cila vuan nga hipertensioni, diabeti dhe probleme të zemrës.

“Nuk kam asgjë për të gatuar dhe as para për të blerë dru për zjarr. Hamë pak në mëngjes dhe pak në mbrëmje, vetëm bukë me kripë ose djathë.

Kam humbur rreth 10 anëtarë të familjes sime në një sulm ajror,” tregoi ajo.

Izraeli shtrëngoi më tej bllokadën në tetor 2023, ndërsa në mars dhe prill vendosi një ndalim të plotë dy mujor për furnizimet. Edhe pse kohët e fundit ka hyrë më shumë ndihmë, ajo përbën vetëm një pjesë të vogël të nevojave reale.

Çmimet vazhdojnë të jenë të papërballueshme: një kilogram domate kushton 30 dollarë, ndërsa 90% e popullsisë nuk ka të ardhura.