Dezinformimi online, ekonomia dhe terro*izmi perceptohen si kërcënimet kryesore globale

Njerëzit në mbarë botën shohin përhapjen e lajmeve të rreme në internet, gjendjen e ekonomisë globale dhe terrorizmin si kërcënimet më të mëdha kombëtare, sipas një sondazhi të ri të realizuar me mbi 31 mijë të rritur në 25 vende.

Ndërkohë, shqetësimet për ndryshimet klimatike dhe sëmundjet infektive kanë rënë dukshëm, veçanërisht në vendet me të ardhura të larta.

Në Evropë, dezinformimi në internet është në krye të listës së kërcënimeve.

Gjermania, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Holanda e konsiderojnë këtë fenomen si rrezikun më të madh, ndërsa Franca, Italia, Hungaria dhe Spanja e vendosin në dy prioritetet kryesore të tyre.

Përjashtim mbetet Greqia, ku ekonomia dhe ndryshimet klimatike mbizotërojnë mbi shqetësimin për lajmet e rreme.

Raporti thekson se zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe Poloni, të cilat besohet se kanë qenë të shënjestruara nga fushatat e dezinformimit rus, mund të kenë ndikuar në këto perceptime.

Në Poloni, 85% e të anketuarve e cilësuan dezinformimin si kërcënimin më të madh, ndërsa në Gjermani kjo shifër arriti në 81%.

Megjithatë, perceptimi ndryshon sipas orientimit politik.

Në Gjermani, 55% e atyre që simpatizojnë Alternativën për Gjermaninë (AfD) e shohin dezinformimin si një rrezik serioz, kundrejt 89% të kundërshtarëve të partisë.

Hendek i ngjashëm politik u evidentua edhe në vende të tjera evropiane si Polonia, Hungaria, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Shqetësimi për dezinformimin shtrihet edhe jashtë Evropës.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut, ai renditet si kërcënimi kryesor, ndërsa Izraeli mbetet i vetmi vend ku më pak se gjysma e qytetarëve e perceptojnë atë si rrezik të madh, duke vënë terrorizmin në plan të parë.

Faktor tjetër që ndikon është mosha. Të moshuarit në vende si Kanadaja, Japonia, Australia dhe SHBA e shohin më shumë se të rinjtë përhapjen e lajmeve të rreme si kërcënim serioz.

Ndërsa frika për pandemitë dhe krizën klimatike ka rënë, veçanërisht në vendet e zhvilluara, rritja e shqetësimit për ekonominë globale dhe rezistenca e perceptimit mbi rrezikun e dezinformimit tregojnë se qytetarët sot ndihen të rrethuar nga një mori kërcënimesh.

“Është e qartë se njerëzit janë të shqetësuar për shumë çështje tani, por fakti që informacioni i rremë mbetet në krye të listës është tregues i fuqisë që ka në shoqëritë moderne”, theksoi Jacob Poushter nga Qendra Kërkimore Pew.