Çfarë po ndërton Kina në Londër: Ambasadën më të madhe në Evropë apo një qendër spiunazhi?

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka zgjatur afatin deri më 21 tetor për marrjen e një vendimi mbi miratimin e planeve të Kinës për të ndërtuar një ambasadë të re në Londër, e cila pritet të jetë më e madhja në Evropë.

Vendimi është vonuar pasi autoritetet britanike kanë kërkuar sqarime shtesë, duke qenë se Pekini refuzoi të shpjegonte plotësisht arsyen pse disa pjesë të planeve ishin “të errësuara”, pra të padisponueshme, raportoi agjencia Reuters.

Planet e Pekinit parashikojnë ngritjen e ambasadës në vendin e një ndërtese të vjetër pranë Kullës së Londrës, por ato janë përballur me kundërshtime të forta nga banorë të Hong Kongut, ligjvënës britanikë dhe aktivistë pro-demokracisë, të cilët paralajmërojnë për pasoja të mundshme politike dhe të sigurisë.

Ndërkohë, politikanë në Britani dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngritur shqetësime serioze se ndërtesa e re mund të shndërrohet në një bazë të fuqishme për aktivitete të spiunazhit kinez në Evropë.

Nga ana tjetër, ekipi konsulent i DP9, që përfaqëson interesat e Kinës në këtë proces, ka deklaruar se planet përmbajnë mjaftueshëm detaje dhe janë tërësisht informuese, duke mohuar akuzat për mungesë transparence.

Por Departamenti i Strehimit i Mbretërisë së Bashkuar kërkon sqarime të mëtejshme përpara se të marrë vendimin përfundimtar.

Ambasada e Kinës në Londër ka reaguar ashpër ndaj shtyrjes së afatit, duke shprehur “shqetësim serioz” dhe duke i bërë thirrje autoriteteve britanike që të përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare.

Përmes një deklarate, ambasada ka kërkuar miratimin e menjëhershëm të projektit, duke theksuar se vonesat e panevojshme dëmtojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.

Çështja pritet të mbetet një pikë tensioni në marrëdhëniet mes Londrës dhe Pekinit, ndërsa vendimi i pritshëm më 21 tetor shihet me interes jo vetëm në Britani, por edhe në arenën ndërkombëtare.