Sherr masiv për “chicken nuggets” në anijen turistike në Majemi! Pasagjerët përplasen me grushte në radhë për të marrë porosinë

Një sherr i dhunshëm ka shpërthyer në bordin e një anijeje turistike të kompanisë Carnival Cruise, pasi disa pasagjerë janë përplasur fizikisht ndërsa prisnin në radhë për ushqim.

Pamjet e përhapura në rrjetet sociale tregojnë një grup të rinjsh duke shkëmbyer grushte dhe duke rrëzuar njëri-tjetrin përtokë, ndërsa pasagjerë të tjerë shikonin dhe filmonin ngjarjen me telefonat e tyre. Disa prej tyre dëgjohen duke bërtitur, ndërsa një person në turmë pyet me ironi: “Ku është sigurimi?”

Rojet e sigurisë u përpoqën të ndërhyjnë, ndërkohë që njëri prej tyre u largua nga turma për të përdorur radion e komunikimit. Gjatë përleshjes, përveç grushteve, në dysheme përfunduan këpucë dhe celularë.

Mike Terra, një pasagjer që filmoi ngjarjen dhe e postoi videon në rrjete sociale, e komentoi me ironi incidentin duke thënë: “Është çmenduri që po zihen për chicken nuggets.” Ai deklaroi për New York Post se përplasja ndodhi ditën e hënë, në ditën e fundit të udhëtimit, ndërsa anija “Carnival Sunshine” po kthehej në Miami.

“Nuk ishim mjaft afër për të kuptuar saktësisht pse nisi sherri, por dimë që ishin në radhë për ushqim,” u shpreh Terra.

Anija kishte nisur udhëtimin nga Miami të enjten e kaluar dhe kishte ndaluar në dy pika në Bahamas, përpara se të rikthehej në Florida të hënën. Deri më tani, kompania Carnival Cruise nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar mbi incidentin.