Shumë nobelistë kërkojnë ndërprerjen e ofensivës së Izraelit
Shumë fitues të çmimit Nobel në Ekonomi i bënë thirrje qeverisë izraelite që t’i japë fund “çdo politike që intensifikon urinë e përhapur” në Gaza duke theksuar rreziqet e pasojave “katastrofike” për ekonominë e Izraelit nëse ofensiva e saj vazhdon.
“Si qenie njerëzore, ekonomistë dhe shkencëtarë, ne bëjmë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të çdo politike që intensifikon urinë e përhapur”, shkruan një grup profesorësh evropianë dhe amerikanë të ekonomisë, përfshirë 10 fitues të çmimit Nobel, në një artikull të botuar në gazetën ”Le Monde”.
Midis 23 nënshkruesve të këtij teksti, fillimisht një letër drejtuar zyrës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, janë nobelistë Daron Acemoglu, Joseph Stiglitz dhe Esther Duflo.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, “miratoi” një ofensivë në Qytetin e Gazës të mërkurën, dhe kryeministri Benjamin Netanyahu pritet të japë miratimin përfundimtar për planet e operacionit të enjten, sipas zyrës së tij, duke shtrënguar kontrollin mbi qytetin ku trupat e tij nisën operacionet fillestare dhe vazhduan bombardimet e tyre të enjten.
“Edhe pse banorët e Gazës do të ishin viktimat e para të këtyre politikave, izraelitët gjithashtu do të duhet të paguajnë pasojat, dhe pasojat ekonomike mund të jenë katastrofike”, thonë këta ekonomistë.
“Përballë provave në rritje të urisë masive dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut, qeveritë evropiane mund të vendosin sanksione të synuara, duke shkaktuar dëme serioze në shkencë, tregti dhe punësim. Shenjat e para tashmë po shihen”, shkruajnë ata.
Financiarisht, “agjencitë e vlerësimit ka të ngjarë të vazhdojnë të ulin borxhin sovran të Izraelit, gjë që do të rriste kostot e huamarrjes, ndërsa shteti përballet me shpenzime të mëdha rindërtimi dhe mbrojtjeje”, vazhdojnë ata, me tre agjencitë kryesore që e kanë ulur tashmë vlerësimin e vendit në vitin 2024.
Ata gjithashtu vënë në dukje rrezikun e largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, veçanërisht nga sektori i teknologjisë “i cili përfaqëson gati 20% të PBB-së dhe një të tretën e të ardhurave nga taksat mbi të ardhurat (…) duke e privuar Izraelin nga motori i tij kryesor i rritjes”.
Lufta në Gaza i ka dhënë një goditje sektorëve të turizmit, ndërtimit dhe bujqësisë së Izraelit.
Për Gazën dhe Bregun Perëndimor, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerësoi në fund të vitit 2024 se lufta kishte një efekt “shkatërrues” në ekonomi, me PBB-në e enklavës që ka rënë me rreth 90% një vit pas fillimit të ofensivës.

