Lirimi i hapësirave publike, Rama: Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se lirimi i hapësirave publike nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri.

Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në të gjithë vendin.

“Nuk është aksion, po faza e parë e një transformimi të ri, për Tiranën e për të tjera qytete më të pastër, më të gjelbër, po edhe me njësi shërbimi më bashkëpunuese e më miqësore me komunitetin”, shkroi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin prej muajit korrik.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.