Balliu: KAYO po cenon informacionet e klasifikuara, po kthehet në minë me sahat për vendin. Drejtësia ta ndalojë
Partia Demokratike ka vijuar denoncimin ndaj kompanisë KAYO, e cila drejtohet nga ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Deputeti i zgjedhur Kelvis Balliu paralajmëron se kjo kompani po cenon informacionet e klasifikuara dhe po përbën një rrezik të madh për sigurinë kombëtare.
Në qendër të vëmendjes është edhe Guna Tactical, një prej tre kompanive të themeluara nga Veliu, e cila është përzgjedhur për furnizimin me uniforma falë një Vendimi të Këshillit të Ministrave.
Deklarata e Klevis Balliut:
Partia Demokratike vijon sot me denoncimin e aferës së rrezikshme që kërcënon sigurinë kombëtare: projektin e prodhimit të armëve nga kompania shtetërore KAYO, e krijuar nga Edi Rama dhe e drejtuar nga ish-drejtori famëkeq i Policisë, Ardi Veliu.
Shoqëria KAYO e qeverisë, me procedurat e dyshimta të ndërmarra për krijimin e disa kompanive që supozohet të merren me prodhimin dhe eksportimin e nevojave të ndryshme të segmenteve të sigurisë – nga uniformat deri tek armët – po cenon informacionet e klasifikuara si dhe sigurinë kombëtare, duke afishuar në një proces shumë delikat eksponentë të cilët nuk kanë certifikimin e nevojshëm.
Kompanitë e krijuara nga Ardi Veliu në emër të pushtetit të Edi Ramës nuk plotësojnë as kriteret e vetëpërcaktuara nga Edi Rama. Kjo ndodh pasi kriteret janë të detyrueshme të vendosen, por kur afera është me bekimin e Edi Ramës ato nuk janë të detyruara të zbatohen, pasi sot primare është interesi i Edi Ramës dhe jo interesi kombëtar dhe interesi i shqiptarëve.
Një prej tre kompanive të krijuara nga Ardi Veliu, Guna Tactical, ku ai zotëron 51% të aksioneve dhe kompania MSSC e Emiljano Dushës zotëron 49%, ka marrë për objekt furnizimin e uniformave për të gjitha strukturat e sigurisë së vendit – nga Forcat e Armatosura, tek Policia e Shtetit dhe agjencitë e emergjencave.
Ky aktivitet është bërë i mundur pas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, të firmosur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Përkatësisht, VKM-ja nr. 291 përcakton kritere të qarta për kompanitë private që bashkëpunojnë me KAYO, si:
ç) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.
Këto kritere duken të paplotësuara, pasi kapitali i GUNA TACTICAL është vetëm 35 mijë euro. Si mundet të punësojë 400 qytetarë dhe me këtë buxhet si mundet të prodhojë dhe të eksportojë GUNA TACTICAL?
Pra, janë vetë kriteret e vendosura nga qeveria që janë shkelur hapur nga Ardi Veliu dhe klientela e pushtetit. Kjo aferë është provë e qartë e abuzimit dhe korrupsionit të strukturuar, që jo vetëm pasuron një grusht individësh të lidhur me Edi Ramën, por edhe cenon rëndë sigurinë kombëtare të vendit tonë.
Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve të drejtësisë të ndërhyjnë menjëherë dhe të ndalojnë këtë projekt të rrezikshëm, i cili po i jepet në duar një njeriu me lidhje të njohura dhe të verifikuara me segmente të errëta të shoqërisë.
Ne nuk kemi iluzione se drejtësia e kapur nga Edi Rama do të reagojë, por Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për të bërë drejtësi.
Partia Demokratike do të vazhdojë denoncimin e çdo afere të qeverisë Rama, deri në ndalimin e kapjes së shtetit dhe rikthimin e sigurisë dhe ligjshmërisë për qytetarët shqiptarë.

