Në konsultim publik ligji i ri/ Forcim i sigurisë ushqimore dhe gjoba për shkelësit

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur zyrtarisht konsultimin publik për projektligjin “Për kontrollet zyrtare”, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik në Shqipëri.

Qëllimi i ligjit është të garantojë standarde të larta të sigurisë në të gjithë zinxhirin ushqimor,  nga prodhimi deri te konsumi, duke përfshirë produkte me origjinë shtazore, bimët, OMGJ-të dhe ushqimin për kafshë.

Ligji parashikon risi në protokollet e kontrollit: Kontroll i bazuar në vlerësimin e riskut, jo në supozime; Inspektime pa njoftim paraprak për të reflektuar realitetin në terren; Procedura të detajuara për therjen, inspektimin dhe mbikëqyrjen veterinare; Rregulla të veçanta për produktet OMGJ dhe etiketimin.

Projektligji parashikon tarifa për kontrollet zyrtare dhe gjoba nga 100,000 deri në 2,000,000 lekë për shkelje të rënda, si veprimtaria në njësi të paregjistruara apo të pambikëqyrura.

Konsultimi publik është i hapur deri më 16 shtator 2025, duke i dhënë mundësi qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit të japin kontributin e tyre në përmirësimin e legjislacionit për një ushqim më të sigurt në tryezën e çdo familjeje shqiptare.