Netanyahu kritikon Macron për “nxitje të antisemitizmit”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dërgoi sot një letër presidentit francez Emmanuel Macron, duke e akuzuar se me vendimin për të njohur shtetin palestinez po nxit antisemitizmin.

Fundin e muajit të kaluar, Macron deklaroi se Franca do të njihte zyrtarisht një shtet palestinez gjatë një takimi në OKB në shtator, duke marrë menjëherë kundërshtim nga Izraeli.

Në letër, Netanyahu shkroi se antisemitizmi është “rritur” në Francë pas njoftimit dhe e akuzoi Macronin se “hedh benzinë mbi këtë zjarr antisemitik” dhe se vendimi i tij shpërblen Hamasin, duke vështirësuar lirimin e pengjeve dhe duke inkurajuar urrejtjen ndaj hebrenjve francezë.

Ai e ftoi Macronin të veprojë kundër antisemitizmit dhe të zëvendësojë “dobësinë me vendosmëri” deri më 23 shtator, festa e Vitit të Ri Hebre.

Sipas një vlerësimi, të paktën 145 nga 193  shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur ose planifikojnë të njohin shtetin palestinez, përfshirë Australinë, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë.

Australia njoftoi këtë muaj se do të njohë Palestinën në shtator. Netanyahu sulmoi edhe kryeministrin australian Anthony Albanese, duke e quajtur “politikan të dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë australianë”.

Kriza diplomatike mes dy vendeve u përshkallëzua pasi Australia anuloi vizën e politikanit izraelit të djathtë ekstreme Simcha Rothman, ndërsa në kundërpërgjigje ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, u hoqi vizat përfaqësuesve australianë pranë Autoritetit Palestinez.