Izraeli kërkon lirimin e të gjithë pengjeve: Nuk do të lëmë asnjë pas

Izraeli vazhdon të kërkojë lirimin e të gjithë pengjeve që ndodhen në Gaza, pavarësisht propozimit të ri të ndërmjetësve për një armëpushim 60-ditor, që parashikon kthimin e pengjeve në dy faza. Një burim qeveritar izraelit tha për AFP se “politika e Izraelit nuk ka ndryshuar” dhe se “nuk do të lëmë asnjë peng pas.”

Pas 22 muajsh lufte, Hamasi njoftoi të hënën se kishte pranuar propozimin e ri të ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe SHBA. Sipas raportimeve, plani është thuajse identik me atë të propozuar më parë nga SHBA dhe parashikon lirimin e 10 pengjeve të gjallë dhe dorëzimin e 18 trupave në këmbim të armëpushimit dhe fillimit të negociatave për përfundimin e luftës.

Megjithatë, Izraeli nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir dhe ministra të tjerë të ekstremit të djathtë kanë paralajmëruar kryeministrin Netanyahu që “të mos tërhiqet” dhe se “nuk ka mandat për një marrëveshje të pjesshme”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha se SHBA po shqyrton propozimin dhe nënvizoi se nuk është rastësi që Hamasi e pranoi menjëherë pas një reagimi të fortë të presidentit Donald Trump në rrjetin e tij social “Truth Social”.

Ndërkohë, sulmet izraelite në Gaza vazhdojnë. Mbrojtja Civile në Gaza raportoi të paktën 45 të vrarë sot, shumica në lagjet Zeitoun dhe Al-Sabra të qytetit të Gazës. Forcat izraelite janë pozicionuar në periferi të zonave të përfshira nga bombardimet, ndërsa dëshmitarë thanë se po qëllohen nga tanke, artileri dhe dronë.

Ushtria izraelite deklaroi se operacionet kanë për qëllim shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit dhe se po merren “masa të arsyeshme për të kufizuar viktimat civile.”

Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara paralajmëruan për rrezik të madh urie për dy milionë banorët palestinezë në Gaza. Izraeli mohon akuzat për urie të qëllimshme dhe thotë se po lejon më shumë ndihma, megjithatë OKB konfirmoi sot se nuk ka marrë ende leje për të shpërndarë çadra për të zhvendosurit.