Macron pas takimit në Shtëpinë e Bardhë: Hapa të rëndësishme! SHBA do të garantojë paqen në Ukrainë, por Putin nuk e dëshiron

Presidenti francez Emmanuel Macron, në një intervistë ekskluzive për rrjetin amerikan NBC pas takimit të zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, presidentin ukrainas dhe liderë të tjerë evropianë, theksoi rëndësinë e bisedimeve për të ardhmen e sigurisë në Ukrainë dhe paqes në Evropë.

Macron vlerësoi si shumë të rëndësishëm faktin që SHBA, për herë të parë pas muajit shkurt, ka shprehur qartë se do të angazhohet në një mekanizëm garancie për sigurinë e Ukrainës, në rast se arrihet një marrëveshje paqeje. Ai cilësoi optimizmin e shprehur nga presidenti amerikan si “jashtëzakonisht inkurajues”, duke shtuar se “askush nuk duhet të dyshojë tek kjo. Presidenti amerikan padyshim ka arsyet e tij për këtë optimizëm.”

Megjithatë, Macron bëri të qartë se ai vetë mbetet më skeptik, duke theksuar: “Kam ndjesinë – dhe mund të jem pesimist – se presidenti Putin nuk ka asnjë dëshirë për paqe.” Ai paralajmëroi gjithashtu se në rast të një marrëveshjeje, duhet të jemi të përgatitur me sanksione fillestare dhe dytësore ndaj Rusisë, nëse kjo e fundit shkel marrëveshjen.

Duke folur për garancitë e sigurisë, Macron tha se Ukraina duhet të ndërtojë një ushtri të fuqishme, pa kufizime në pajisje apo personel, dhe se Evropa ka për detyrë t’i sigurojë mjetet për realizimin e këtij objektivi. Ai theksoi gjithashtu se “Aleanca e të Gatshmëve” duhet të ndihmojë Ukrainën me trajnim, pajisje dhe bashkëpunim në terren menjëherë pas arritjes së çdo marrëveshjeje.

I pyetur për idenë e shkëmbimeve territoriale të propozuara nga Donald Trump dhe të përfshira në diskutimet me Rusinë, Macron u shpreh se agresori nuk mund të barazohet me viktimën, dhe se çdo vendim territorial është çështje sovrane e Ukrainës. Ai theksoi se Perëndimi nuk duhet të njohë territoret e pushtuara, pasi një veprim i tillë do të cënonte rendin global dhe do të diskreditonte rolin e çdo fuqie ndërkombëtare si garantuese e paqes.