Administrata Trump, aksionerja kryesore e “Intel” përmes granteve të Aktit të Çipave
Qeveria amerikane synon të marrë një pjesë të madhe të aksioneve në kompaninë e prodhimit të çipave “Intel”, i cili është në vështirësi, konfirmoi sot sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick në një intervistë për CNBC – pas disa ditësh spekulimesh.
“Presidenti Donald Trump beson se kjo do të rezultojë në një kthim të mirë për taksapaguesin amerikan”, tha ai, duke shtuar se aksionet e qeverisë do të përbëheshin nga aksione pa të drejtë vote.
Lutnick nuk specifikoi madhësinë e aksioneve, apo kohën e blerjes. Sipas raporteve të medias amerikane, Uashingtoni po kërkon afërsisht 10% të aksioneve të “Intel”, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së saj globale.
Kjo do të ishte ekuivalente me atë që mund të blihej në treg me më shumë se 10 miliardë dollarë subvencione që “Intel-it” iu premtuan nën drejtimin e paraardhësit të Trump, Joe Biden.
Trump prej kohësh i ka hedhur poshtë subvencionet për prodhuesit e çipave duke i quajtur ato një humbje parash, dhe duke preferuar tarifat e larta të importit për të detyruar kompanitë të prodhojnë gjysmëpërçues në SHBA.
Shumica e çipave të avancuar ende prodhohen pothuajse tërësisht në Azi, veçanërisht në Tajvan, ku tensionet në rritje me Kinën kanë nxitur përpjekjet perëndimore për të rritur prodhimin në vend.
Por ndërtimi i pajisjeve të reja zgjat me vite dhe kushton dhjetëra miliarda dollarë.
Në një masë të pazakontë, qeveria amerikane nën drejtimin e presidentit Trump siguroi së fundmi një “aksion të artë” në “US Steel” kur ajo u ble nga “Nippon Steel” i Japonisë – duke i dhënë presidentit të drejtën e vetos mbi transferimet e vendeve të punës, mbylljen e fabrikave ose blerjet e mëdha.
