Dom Gjergj Meta: Zjarret e qëllimshme, krim që kërkon përgjigje para njerëzve e para Zotit
Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore, Dom Gjergj Meta reagoi sot lidhur me situatën e zjarreve në vend ku theksoi se “zjarret që në këto ditë po rrezikojnë jetën e banorëve, shtëpitë e tyre, florën dhe faunën që gjendet në male dhe pyje, në pjesën më të madhe janë të qëllimshme.
Ky është një krim që kërkon përgjigje para njerëzve e para Zotit”.
“Krijimi na është dhënë në roje dhe jo për ta prishur apo për të abuzuar me të duke e shkatërruar.
Zjarret rrezikojnë edhe mundin dhe djersën e shumë njerëzve dhe familjeve të tyre.
Kemi përgjegjësi të gjithë për të ruajtur si sytë e ballit çdo pëllëmbë vend tonin nga shkatërrimi”, theksoi Dom Gjergj Meta.
Edhe në emër të të gjithë ipeshkvinjëve, Dom Gjergj Meta i bëri thirrje nga zemra të gjithëve, individë dhe institucione, të përballemi me situatën me veprime konkrete, por sidomos me shqyrtimin e ndërgjegjes sonë, në mënyrë që të dalim nga këto situata e të mos krijojmë të tjera.
Dom Gjergj Meta tha se përgjegjësit një ditë do të japin llogari para Zotit.
“Askush nuk ia ka pa hajrin abuzimit me ambientin, shkatërrimit të tij, pasi është njëkohësisht edhe shkatërrimi ynë e i të ardhmes tonë mbi planet.
Thirrini zërit të ndërgjegjes, ndaleni dorën tuaj! Dërguesit dhe dorasët kanë përgjegjësi njësoj para njerëzve e para Zotit.
Për këtë kanë përgjegjësi edhe organet shtetërore që të mos jenë neglizhente, por të forcojnë ruajtjen e pyjeve, të përmirësojnë dhe përforcojnë strukturat me mjete ndërhyrëse.
Të merret më seriozisht kjo gjë se vjen shpejt edhe viti tjetër e duhet të shkojmë përtej retorikave”, nënvizoi Dom Gjergj Meta.
“Zoti bekoftë çdokënd që e ka për zemër ruajtjen e mjedisit, të gjithë ata që në këto ditë po luftojnë me zjarret e qoftë pranë të dëmtuarve nga flakët.
Me shpresën se sadopak këto fjalë do të dëgjohen, i uroj secilit paqe në zemër e dashuri për këtë vend, për Shqipërinë tonë, që e kemi shumë të shtrenjtë”, tha Dom Gjergj Meta.
