Vatër e re zjarri e favorizuar nga era në Delvinë, ministri Vengu në terren

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se, efektivët e Forcave të Armatosura së bashku me ekipet lokale të zjarrfikësve janë në luftë me flakët e një vatre të papritur të favorizuar nga erërat e forta.

Në terren është edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Ministria theksoi se prej orësh vijon puna në terren e mbështetur dhe nga helikopterët e Forcës Ajrore.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 64 vatra zjarri, nga të cilat 24 vatra zjarri janë ende aktive.

Mbi 10 mijë forca të emergjencave, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile ndodhen në terren dhe situata po shkon drejt stabilizimit.

Operacioni i gjerë kundër zjarreve ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës, duke synuar kufizimin e perimetrit të flakëve pranë zonave të banuara dhe parqeve kombëtare në të gjithë vendin.

Nga ajri po operojnë edhe tre helikopterë në Gramsh dhe dy të tjerë në Delvinë.