Situata kritike me flakët në Gramsh / Kryetari i Bashkisë, Ajazi: Zjarri ende aktiv, por të gjithë fshatrat e rrezikuar janë evakuuar

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News" ishte kryetari i Bashkisë së Gramshit, Besion Ajazi, për të folur për situatën në Gramsh, ku tha se falë evakuimit të shpejtë të banorëve nuk pati humbje jete apo të plagosur, ndërsa zjarri vijon ende me disa vatra aktive.

" Situata mund të them që nuk është ajo e orëve të para por vazhdon të jetë situatë kritike. Zjarri vazhdon të jetë ende aktiv ndonëse jo agresiv, por vatra të vogla vazhdojnë të jenë aktive.

Fatmirësisht në disa prej fshatrave zjarri është larguar por patjetër që kemi pasur një ditë shumë të vështirë dhe impenjative. Me të gjitha forcat kemi bërë të mundur evakuimin e banorëve si fillim.

Nga të gjitha fshatrat është bërë evakuimi, nga Kullolla si Bletëza, Skëndërbegasi, nga Harunasi. Të gjitha fshatërat janë evakuuar.

Ndonëse kishim vetëm një vatër në fillim në Kullollas, bëmë thirrje për të larguar të gjithë fshatrat afër dhe fatmirësisht nuk kemi të plagosur por as humbje jete falë një ndërhyrje apo reagimi të shpejtë në minutat e para të zjarrit", u shpreh Ajazi.