Hilet dhe ujdia Qeveri-Drejtësi, për të mos e dërguar dosjen “Bankers” në SPAK; të gjithë vijnë “erë” naftë
Për aferat e korrupsionit dhe krimet fiskale të kompanisë koncesionare “Bankers”, u arrestua drejtori kinez Hongping Xiao, ish-drejtori shqiptar Leonidha Çobo dhe disa nëpunës të kësaj kompanie, por asnjë kontraktor fiktiv, siç është kompania “Albstar” e oligarkut Idajet Ismailaj i kullës te stadiumi “Air Albania”, që ka zhvatur 20 milionë Euro në “Bankers”.
Por, edhe pas fasadës së goditjes shumë të vonuar që drejtësia i dha mafies së kompanisë “Bankers”, janë disa hile që kanë filluar dhe po vazhdojnë në procesin penal ndaj kompanisë që i ka vjedhur shtetit shqiptar 5 miliardë Euro, baraz me 63% të buxhetit vjetor aktual.
Hilja e parë e skenuar nga qeveria është fakti që Drejtoria e Tatimeve dhe Drejtoria Tatimore-Fier, kallëzimin penal ndaj “Bankers” nuk e bënë në SPAK, por në Prokurorinë e Qarkut.
Pas krijimit të SPAK, institucionet shtetërore e kanë të përcaktuar për çdo rast, se cilës linjë të akuzës penale duhet të drejtohen për të denoncuar individë e subjekte private që abuzojnë, dhe në rastin e “Bankers”, tatimet duhej ta bënin kallëzimin në SPAK për dy arsye ligjore:
Së pari, vërtetë që kompania “Bankers” zhvillon aktivitet në territorin tatimor të Qarkut-Fier, por është koncesion qendror i dhënë me ligj nga Parlamenti dhe vendim qeverie, ku ka kontroll qendror.
Së dyti, për abuzimet financiare me vlerë mbi 50 mijë euro, institucionet shtetërore duhet t’i kallëzojnë vetëm në SPAK, por Drejtuesit e Tatimeve nuk e kallëzuan kompaninë “Bankers” në SPAK, megjithëse vërtetuan që ka vjedhur 5 miliardë Euro.
Hilja tjetër është skandali, që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nuk kallëzoi asnjë ish-drejtues dhe drejtues aktual të tatimeve, që kanë lejuar mashtrimet dhe vjedhjet e “Bankers” me bilancet fiktive, me faturat e TVSH, evazionin fiskal, mos-pagimin e taksave dhe mos-shlyerjen e detyrimit të tatim-fitimit në shtet, kur është vërtetuar që hajdutët e “Bankers” kanë bashkëpunuar me zyrtarët e shtetit.
Hilja tjetër është fakti që Prokuroria e Fierit, nuk ka proceduar zyrtarë të Tatimeve, Doganave, Albeptrol, Agjencisë së Burimeve Natyrore, Agjencisë së Koncesioneve (ATRAKO), të cilët kanë lejuar krimet financiare të “Bankers”.
Emrat e tyre kanë dalë nga përgjimet dhe hetimet, por edhe administrativisht, si persona përgjegjës për të kontrolluar koncesionin e naftës.
Përveç paprekshmërisë së zyrtarëve të qeverisë, prokuroria dhe gjykata e Fierit dhe Gjykata e Apelit, në ujdi të dukshme me kupolën e qeverisë, nuk po shpallin mos-kompetencën për dosjen “Bankers” dhe t’ia kalojnë hetimin SPAK-ut. Sepse, nëse do të kallëzoheshin dhe do të procedoheshin penalisht zyrtarët e qeverisë, çështja do të kalonte për hetim në SPAK, ku hetimi do të detyrohej të ngjitej në nivel ministrash e kryeministrash.
Janë Fatos Nano, Sali Berisha, Edi Rama dhe mes tyre Ilir Meta dhe ministrat e qeverive të tyre në vitet 2004-2025, që kanë fimosur dhe kanë lejuar koncesionin mafioz “Bankers”. Këta kanë miratuar dhe ndryshuar disa herë ligjin, vendimet qeverisë, dhe kontratën e “Bankers”, duke i hequr taksat tatimore, doganore, minierare, taksat qendrore e lokale.
Kanë urdhëruar mos-kryerje kontrollesh, anulime ndëshkimesh financiare e procedime penale, por edhe hartim raportesh false, për kontrolle që nuk kryeheshin, audite fiktive, hapje porte dogane për import lëndësh të para e makineri dhe eksport nafte me deklarime ngarkesash të rreme e pa taksa.
Nuk ka dyshim që, nëse drejtësia do të hetojë “lartë”, do konstatojë se të gjithë drejtuesit e qeverisë, nga dita e fillimit të koncesionit “Bankers” në vitin 2004 e deri sot, vijnë “erë” naftë, të lyer nga kanadezët që e kishin deri në vitin 2016 dhe nga kinezët që kanë prej 9 vitesh./Pamfleti


