5.7 milionë euro të pashpjeguara nga Fondacioni Firdeus: Pyetjet që ''bamirësi'' Elvis Naçi nuk do të mundet t'i shmang dot

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Fondacioni Firdeus, i themeluar nga Elvis Naçi, deklaroi se kishte mbledhur mbi 9 milionë euro donacione për të ndihmuar familjet e prekura. Sipas një njoftimi të 12 gushtit 2020, kjo shumë do të përdorej për ndërtimin e 168 banesave individuale në Thumanë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin. 

Në të njëjtin komunikim publik, u tha se donacionet vinin “nga shqiptarët për shqiptarët” dhe se ndërtimet do të realizoheshin në kushte të favorshme fiskale, pasi qeveria kishte hequr TVSH-në dhe taksat për projektet e rindërtimit.

Kostot e ndërtimit dhe diferenca në shifra

Nga të dhënat që kanë qarkulluar publikisht dhe llogaritjet e bëra mbi sipërfaqen e ndërtimit (rreth 13 mijë metra katrorë në total, ose mesatarisht 80 metër katrorë për banesë), rezulton se me çmimin mesatar të tregut për ndërtim në periferi të Tiranës në atë periudhë, që varionte nga 215 deri në 300 euro për metër katrorë, kosto totale do të ishte rreth 3.8 milionë euro.

Në krahasim me fondin e deklaruar prej 9 milionë eurosh (plus 500 mijë euro të dhëna nga JOQ), kjo lë një diferencë të pashpjeguar prej rreth 5.7 milionë eurosh. Deri më sot, nuk ka një raport publik që të shpjegojë saktë destinacionin e kësaj shume.

Blerja e një spitali privat

Në nëntor 2019, mediat raportuan se Fondacioni Firdeus kishte blerë 100% të aksioneve të një spitali privat të quajtur “Continental” për 350 mijë euro. Në dokumentet zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania rezultonte me humbje të akumuluara që kalonin 100 milionë lekë para blerjes. Pas blerjes, humbjet vijuan edhe në vitin 2020, duke arritur minus 60 milionë lekë kapital themeltar.

Zyrtarisht, kjo blerje u justifikua si një investim për të ofruar shërbime shëndetësore falas për njerëzit në nevojë. Megjithatë, ekspertë të ekonomisë e kanë konsideruar të pazakontë blerjen e një kompanie me humbje të vazhdueshme, sidomos nga një fondacion bamirës.

Struktura drejtuese e fondacionit

Regjistrat tregojnë se Bordi Drejtues i Fondacionit Firdeus përbëhet kryesisht nga persona me lidhje të ngushta familjare me themeluesin. Pas vdekjes së babait të tij, Muharrem Naçi, vendin e tij në bord e mori një kushëri i parë, Marvin Naçi. Në bord figurojnë gjithashtu bashkëshortja e Elvis Naçit, një baxhanak, një kushëri dhe vëllai i tij, Ilir Naçi, i cili shërben si drejtor ekzekutiv.

Një strukturë e tillë nuk është e ndaluar ligjërisht, por bie në kontrast me praktikat e shumicës së fondacioneve të mëdha, ku bordet përbëhen nga anëtarë të pavarur dhe figura me kontribute në fusha të ndryshme të shoqërisë.

Thirrja në SPAK

Burime pranë sistemit gjyqësor kanë konfirmuar se Elvis Naçi është thirrur për të dhënë shpjegime në SPAK, por arsyet nuk janë bërë publike. Nuk ka informacion zyrtar mbi çështjen konkrete për të cilën është marrë në pyetje.

Rasti i Fondacionit Firdeus ngre disa pyetje publike që lidhen me mënyrën se si administrohen donacionet e mëdha në Shqipëri, sidomos në periudha krizash. Pa një auditim të pavarur dhe publik, mbeten të hapura dilemat mbi përdorimin e fondeve dhe prioritetet e vendimmarrjes.

Hoxhë, në vend që të vazhdosh të merresh me “strike” në YouTube ndaj Pamfletit, mendo si do t’u përgjigjesh publikisht pyetjeve dhe shifrave që ngre ky shkrim. Transparenca nuk vjen nga heshtja, por nga faktet. 

Ndërkohë, ju njoftojmë se hoxha bamirës Elvis Naçi ka ndërmarrë një tjetër “strike” ndaj kanalit të Pamfletit në YouTube. Veprimet në internet mund të heshtin një video, por nuk mund të mbyllin pyetjet që presin përgjigje. / Pamfleti